Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ndonëse emri i saj është përfolur për përfshirje në garën zgjedhore, Daka ka konfirmuar për Indeksonlinen se nuk do të kandidojë për deputete.
“Jo, jo. Nuk jam përfshirë. Oferta me siguri që kam pasur, por nuk do të jem pjesë e garës. Do ta vazhdoj jetën si qytetare e thjeshtë”, është shprehur ajo.
Ndryshe, subjektet politike kanë afat edhe sot për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor 2026.
“Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit”.













