Ish-shefi i stafit të Presidentes, Blerim Vela ka demantuar deputetin e LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se Bekim Sejdiu ishte këshilltar politik.
“Prandaj, deklarata e ish-kryeministrit Avdullah Hoti se prof. Sejdiu ka ushtruar detyrën e këshilltarit politik të Presidentes është e pasaktë dhe një insinuatë që nuk i shërben seriozitetit minimal të debatit publik”, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
SQARIM PUBLIK nga Blerim Vela
Si ish-Shef i Stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës, gjatë viteve 2021-2023, kam qenë drejtpërdrejt i përfshirë në procesin e angazhimit të prof. Bekim Sejdiut në Zyrën e Presidentes.
Prandaj, deklarata e ish-kryeministrit Avdullah Hoti se prof. Sejdiu ka ushtruar detyrën e këshilltarit politik të Presidentes është e pasaktë dhe një insinuatë që nuk i shërben seriozitetit minimal të debatit publik.
Prof. Sejdiu ishte angazhuar si ekspert i jashtëm përmes programit të mbështetjes së Qeverisë së Norvegjisë për institucionin e Presidencës, të zbatuar nga BPRG. Ky angazhim nuk përbën emërim në funksion politik si këshilltar i Presidentes dhe as marrëdhënie pune me Presidencën.
Ky është model i njohur i asistencës ndërkombëtare, pjesë e programit të njejtë që mundësoi angazhimin e ekspertëve të jashtëm në dialog nga Qeveria e Kosovës, përfshirë Veton Surroin, Blerim Shalën dhe shumë ekspertë të tjerë, me mbështetje norvegjeze përmes BPRG.
Gjatë kohës sime në Presidencë, përmes të njëjtit mekanizëm, përveç prof. Sejdiut u angazhuan edhe tre ekspertë të tjerë të jashtëm. Asnjëri nuk ishte këshilltar politik i emëruar. Kontributi i prof. Sejdiut lidhej kryekëput me ekspertizë për çështje të interesit shtetëror.
Vlen të theksohet se prof. Sejdiu ka punuar në çështjen e modaliteteve të raporteve me Vatikanin, në komunikimin me SHBA dhe në angazhimet që lidhen me raportet me Turqinë, përfshirë çështjen e dronëve. Angazhimi i tij kishte ardhur edhe me sugjerim të partnerëve ndërkombëtarë.
E sfidoj z. Hoti të publikojë vendimin e emërimit të prof. Sejdiut si këshilltar politik. Ai s’ekziston. Kjo vërtetohet edhe nga deklarimi i pasurisë: prof. Sejdiu nuk i është nënshtruar këtij obligimi, sepse s’ka qenë këshilltar politik. Debati publik kërkon fakte e përgjegjësi.












