Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si pako për blerje votash, pakon e prezantuar sot nga Qeveria në detyrë që synon mbështetje të njëhershme prej 100 euro për pensionistët, 100 euro për fëmijët, 100 euro për punonjësit e sektorit jopublik dhe 100 euro për studentët, shkruan Reporteri.net.
Abdixhiku ka thënë se kjo qeveri po shfrytëzon çdo mjet të mundshëm për të qëndruar në pushtet.
“Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit! Populli i Kosovës nuk blihet”, ka shkruar Abdixhiku.
Kurti, gjatë prezantimit të pakos, tha se pensionistët dhe fëmijët nuk do të kenë nevojë për aplikim dhe pagesat do të bëhen javën e ardhshme, ndërsa për punonjësit e sektorit jopublik dhe studentët, nevojitet procedurë aplikimi që do të hapet javën e ardhshme.
Ndërkaq, Ministri i Financave Hekuran Murati tha se në mbështetjen e njëhershme prej 100 euro përfshihen të gjithë të punësuarit e deklaruar në muajin prill me të ardhura mujore më pak se 1 mijë euro që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, pra këtu është sektori privat dhe sektori tjetër, pra publik por që është jashtë organizatave buxhetore, shoqëria civile por edhe ndërmarrjet publike dhe organizatat tjera që nuk marrin pagë nga buxheti i shtetit.
Po ashtu, Qeveria ka njoftuar edhe rritjen e shtesave për lehonat.













