Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Lushtaku e ka cilësuar aktgjykimin si “të padrejtë, të turpshëm dhe absolutisht të papranueshëm”, duke theksuar se, sipas tij, UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë dhe çlirimtare për lirinë e popullit të Kosovës.
“UÇK bëri luftë të drejtë, çlirimtare dhe të domosdoshme për lirinë e popullit tonë”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu çdo përpjekje për, siç është shprehur, barazimin e luftës së UÇK-së me krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
“Ne nuk pranojmë që lufta jonë çlirimtare të barazohet me krimet e kriminelëve serbë në Kosovë. Ne nuk pranojmë që historia e Kosovës të rishkruhet nëpërmjet padrejtësisë”, ka deklaruar ai.
Në fund, Lushtaku ka theksuar se, sipas tij, e vërteta për luftën e UÇK-së do të mbetet e gjallë.
“E vërteta e luftës së pastër të UÇK-së do të jetojë përherë!”, ka përfunduar ai.












