Viagra, Kamagra, si dhe produkti medicinal Voltaren janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik në barnatoren “Fabulous Pharmacy” në Prishtinë, pasi për këto produkte nuk janë ofruar dëshmi të prejardhjes dhe nuk kanë pasur banderolë të Republikës së Kosovës, raporton Front Online.
Sipas raportit të Inspektoratit Farmaceutik, të siguruar nga Front Online, inspektimi në këtë barnatore është kryer më 10 janar 2025, me qëllim të kontrollimit të dokumentacionit, hapësirave, produkteve dhe pajisjeve medicinale, si dhe prezencës së stafit profesional.

Në momentin e inspektimit, barnatorja është gjetur e hapur dhe duke ofruar shërbime farmaceutike. Në objekt kanë qenë të pranishme farmacistja përgjegjëse, Elona Koprani Ahmeti, si dhe teknikja e farmacisë, Kanita Gyshinca.
Në raport thuhet se shërbimet farmaceutike po kryheshin në prani të farmacistes përgjegjëse.

Megjithatë, gjatë kontrollit, Inspektorati Farmaceutik ka evidentuar produkte medicinale për të cilat nuk janë ofruar dëshmi të prejardhjes dhe të cilat nuk kanë pasur banderolë.
Produktet e evidentuara janë përfshirë në listën përmbledhëse me numër 000431 dhe janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik.
Sipas dokumentit, përmes procesverbalit me numër 0013343, pala është njoftuar se do të merret vendim në bazë të gjendjes faktike të konstatuar në procesverbal dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në pjesën e konstatimeve, Inspektorati ka evidentuar se barnatorja “Fabulous Pharmacy”, me seli në Prishtinë, posedonte licencë valide pranë AKPPM-së, me numër L5-0413/20/06/2024. Si farmaciste përgjegjëse figuron Elona Koprani Ahmeti, ndërsa pronare e barnatores është Fjolla Rama.

Por, sipas raportit, gjatë kontrollit në hapësirat jashtë barnatores janë gjetur produkte medicinale të paautorizuara për qarkullim në tregun e Kosovës.
Inspektorati Farmaceutik ka konstatuar se pala ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale, si dhe me Udhëzimin Administrativ për Qarkulluesit Farmaceutikë me Pakicë për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Në raport thuhet se Inspektorati ka urdhëruar që barnatorja të operojë vetëm në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Po ashtu, rasti është shoqëruar edhe me vendim për gjobë, me numër 10/HB-001-24.














