Vjosa Osmani si presidente kishte refuzuar dhënien e shtetësisë për Boiken Abazin, me arsye të forta ligjore që ia kishte dhënë Ministria e Punëve të Brendshme për Boiken Abazin, duke ia përmendur të kaluarën kriminale të tij dhe vendimin për dëbim nga Kosova për rrezikim të sigurisë kombëtare. Katër vjet pas, Albulena Haxhiu si ushtruese e detyrës e ka shpërfillur këtë vendim të Osmanit, duke ia dhënë shtetësinë të dëbuarit Abazi.
I dëbuari nga Kosova për cenim të sigurisë kombëtare, Boiken Abazi më 29 mars të vitit 2022 kishte bërë kërkesë për dhënie të shtetësisë kosovare te presidentja Vjosa Osmani.
Osmani në muajin tetor kishte refuzuar dhënien e shtetësisë për Abazi, pasi kishte marrë një raport nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës që e kishte përmendur të kaluarën kriminale të Abazit, duke filluar për sulmet ndaj një polici, dëmtimin e pasurisë, prishje të rendit publik e deri te vendimi i shtetit të Kosovës për largim me forcë të Abazit në vitin 2016 për cenim të sigurisë kombëtare.
Mirëpo katër vjet më pas, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka shpërfillur të njëjtin opinion të MPB-së, duke nënshkruar vendimin për dhënie të shtetësisë teksa është thirrur në kërkesën e njëjtë të Abazit të datës 29 mars të vitit 2022, të cilën e kishte refuzuar Osmani.
Paparaci e ka siguruar Dekretin për dhënien e shtetësisë që ka hyrë në fuqi më 7 korrik të vitit 2026, ditën edhe kur ishte nënshkruar.

Sipas Dekretit të Haxhiut, Abazi kërkesën e kishte bërë në vitin 2022.
Në arsyetim, Abazi në vitin 2022 kishte shkruar se e meriton shtetësinë për shkak se “ka dhënë kontribut shumëvjeçar në Kosovë”.
“Unë jam Boiken Abazi, i lindur në Tiranë, Shqipëri, më 28.04.2022, dhe përmes kësaj shkrese kërkoj që të më jepet shtetësia e Republikës së Kosovës, me Dekret të Presidentit, për çështje të kontributit tim në Republikën e Kosovës ndër vite. Në shtator të vitit 1999, deri në fund të vitit 2005, ndoqa studimet universitare dhe mora përvojë pune në SHBA, dhe në fund vendosa të kthehem në Shqipëri. Për shkak të largimit për në ShBA, nuk pata mundësi ta vizitoja Kosovën, menjëherë pas çlirimit. Por vendi i parë që vizitova pas kthimit tim në Shqipëri ishte Kosova, për të takuar familjen nga Kosova që ne kishim mbajtur në shtëpinë tonë në Tiranë, si shumë qytetarë të tjerë të Shqipërisë gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar Abazi.
Abazi dhe Dejona Mihali ishin dëbuar nga Kosova gjatë vitit 2016 nën arsyetimin se të dy cenonin sigurinë kombëtare të Kosovës.
Mihali pasi erdhi në pushtet Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë shtetësinë e Kosovës, me dekretin e nënshkruar nga Vjosa Osmani.













