Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen i bëri thirrje të hënën Kosovës që të nisë procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas projektit të ofruar nga diplomacia perëndimore dhe Serbisë të njohë “de facto” Kosovën.
Ajo i bëri këto komente në Prishtinë, ku u takua me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës në kuadër të një vizite në rajon.
“Është absolutisht e rëndësishme që të dyja palët të angazhohen, të bashkëpunojnë dhe bashkërisht diskutuam temën që Kosova mund të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbia duhet të bëjë njohjen de facto të cilën do ta diskutoj nesër në Serbi dhe sigurisht dialogu i Bashkimit Evropian është vendi për t’i diskutuar këto tema”, tha ajo.










