Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, qindra fishekë dhe prova të tjera materiale gjatë bastisjeve në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri në Livoç të Ulët të Gjilanit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, gjatë hetimeve janë sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1 mijë e 600 diabolla për pushkë pneumatike, shkruan IndeksOnline.
Ndërkohë, në dy lokacione ku ka ndodhur ngjarja janë gjetur dhe sekuestruar katër fishekë, 21 gëzhoja dhe pesë predha. Policia ka sekuestruar edhe një pistoletë brenda veturës së të dyshuarit, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Për këtë armë, i dyshuari kishte leje të skaduar.
Si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe pajisje DVR të kamerave të sigurisë.
Rasti i rëndë kishte ndodhur më 9 tetor në fshatin Livoç të Ulët, ku i dyshuari, shtetas kosovar, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij dhe vëllain e saj, të cilët kanë vdekur, si dhe djalin e axhës së bashkëshortes, i cili ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në Spitalin e Gjilanit.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Raporti i plotë:
VRASJE E RËNDË & ARMËMBAJTJE PA LEJE
Fsh. Livoç i Ulët, Gjilan 09.10.2026 – 14:26. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka qëlluar me armë zjarri tre viktimat, një femër-bashkëshorten e tij, një mashkull- vëllai i bashkëshortes dhe viktimën tjetër mashkull-djali i axhës së bashkëshortes. Si pasojë, dy viktimat e para kanë ndërruar jetë, ndërsa i treti ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në Spitalin e Gjilanit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore që i kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Në dy vende të ngjarjes janë sekuestruar katër fishekë, njëzetenjë gëzhoja dhe pesë predha si dhe brenda veturës së të dyshuarit është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vepra për të cilën i dyshuari kishte leje të skaduar. Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike. Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa dy trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion.













