Pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ministrja e Drejtësisë dhe koordinatorja kombëtare për mbrojtjen nga dhuna ndaj grave, Donika Gërvalla-Schwarz, ende nuk ka bërë asnjë reagim publik për rastin.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor, ndërsa rasti ka ngritur pikëpyetje të shumta për mënyrën se si institucionet e trajtuan rastin e saj. Vetëm tri ditë para vrasjes, ajo kishte kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet dhe kishte paraqitur një parashtresë në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar dhe analizë të veprimeve të institucioneve, për të parë nëse kishte lëshime apo përgjegjësi institucionale në trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt.
Gërvalla, e cila në mars të këtij viti u emërua koordinatore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, nuk ka dalë ende me një qëndrim për vrasjen e Zekajt.
Heshtja e saj bie në sy edhe për faktin se më 10 tetor, pas një rasti tjetër të rëndë të dhunës ndaj grave në Gjilan, Gërvalla kishte deklaruar se institucionet nuk duhet të presin që gratë të vriten për të vepruar.
Tash, pas vrasjes së Arlindës dhe nisjes së verifikimeve për përgjegjësinë e mundshme institucionale, nga ministrja e Drejtësisë dhe koordinatorja kundër dhunës ndaj grave ende nuk ka një reagim publik.

















