Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pati dje një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha para pak javësh se Kyivi do të humbte gjithçka në rast se do ta njihte pavarësinë e Kosovës. Me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti nuk pati takim, përveç një shtrëngimi duarsh parmbrëmë, të cilin s’e përmendi fare më pas.
Mbi 50 politikanë, deputetë nga shtete të ndryshme, përfshirë kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin të Ukrainës, Oleksandr Merezhko nënshkruan në fillim të këtij muaji një letër të cilën ia drejtuan Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell dhe Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Jamer Cleverly.
“Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale”, thuhej në letrën e përbashkët ku kërkohej qasje më e ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe ku bashkësisë ndërkombëtare i bëhej thirrje për kthim në “ekuilibër dhe proporcionalitet” në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.












