Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka kritikuar qeverinë për mungesë angazhimi në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se nuk sheh veprime konkrete nga kryeministri Albin Kurti për t’i dhënë vendit institucione të reja.
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, ajo deklaroi se situata politike është e paqartë dhe e paorganizuar.
“Për ta zgjedhur Presidentin, nuk po shoh asnjë përpjekje serioze të kryeministrit Kurti që të bëj diçka në këtë drejtim dhe që vendit t’i jap institucione të reja, ndonëse deklaratat kanë qenë publike, është një amulli totale në kuptimin e qëndrimeve dhe veprimeve të Qeverisë Kurti dhe të Kurtit personalisht”, tha ajo.
Deliu paralajmëroi se zhvillimet e fundit mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Po duket që nuk ka shqetësim dhe nga kjo që po shihet dhe nga zhvillimet e fundit, po duket që vendi po rrëshqet në zgjedhje të reja, për shkak të kokëfortësisë të z.Kurtit për t’u ulur dhe për të siguruar një marrëveshje politike”, tha ajo.













