Një zyrtar i Komunës së Gjakovës, e cila udhëhiqet nga kryetari Ardian Gjini, është arrestuar në Shqipëri nën dyshimin për trafikim të rreth 80 kilogramëve kanabis.
Bëhet fjalë për 40-vjeçarin Besfort Jaka, i cili është njëri prej tre shtetasve të Kosovës të arrestuar në kuadër të operacionit policor “Anchor”, të zhvilluar në Durrës.
Policia shqiptare njoftoi se në Portin e Durrësit janë sekuestruar 127 pako me kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC dhe me peshë totale rreth 80 kilogramë.
Vlera e drogës në treg, sipas autoriteteve, përllogaritet në rreth 1 milion euro.
Sipas raportimeve, Jaka është zyrtar i Komunës së Gjakovës, i cili punon në kuadër të zyrës për buxhet.
Nga kërkimet në “Facebook”, shihet se është përkrahës i flaktë i kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini.


Emri i Jakës është i njohur edhe në politikën lokale të Gjakovës.
Dokumentet zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se ai ka qenë kandidat i PDK-së për Kuvendin Komunal të Gjakovës në zgjedhjet lokale të vitit 2009 dhe 2013. Në vitin 2009 kishte marrë 60 vota, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2013 kishte marrë 220 vota.
Po ashtu, në vitin 2013, Jaka ishte prezantuar publikisht si përfaqësues i Forumit Rinor të PDK-së në Gjakovë.
Në vitin 2019, emri i tij figuron edhe në listën e kandidatëve për Këshillin Drejtues të PDK-së në Gjakovë, ku kishte marrë 69 vota.
Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një deklaratë, përveçse përmes email-adreses edhe përmes telefonit nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, mirëpo deri në publikimin e këtij shkrimi ai nuk ka kthyer përgjigje.
Gazeta ka kontaktuar edhe zyrën e nënkryetarit të Komunës së Gjakovës, Flamur Fetahaj.
Nga zyra e tij është thënë se nuk janë përgjegjës për të folur për këtë çështje.
“Unë nuk jam përgjegjës të flas për këtë pjesë, meqenëse keni përcjellë pyetjet. Mundësinë e parë do t’ju përgjigjen”, është thënë nga zyra e nënkryetarit Fetahaj.
Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Insajderi nuk ka pranuar përgjigje nga Komuna e Gjakovës.
Theksojmë se përveç Jakës, në pranga kanë përfunduar edhe Taulant Duraku, 32 vjeç, dhe Luan Gashi, 26 vjeç, të tre shtetas të Kosovës.
Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tri automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro para të gatshme.
Tre të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”./Insajderi













