Nënkryetari i Sindikatës së re të KEK-ut Nexhat Llumnica, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2026 kanë vdekur 17 punëtorë të kësaj korporate.
Llumnica ka thënë se katër prej tyre kanë humbur jetën në aksidente fatale, ndërsa për 13 të tjerë dyshohet se vdekjet mund të lidhen me sëmundjet profesionale, si pasojë e ekspozimit ndaj gazrave helmues, pluhurit dhe kushteve të vështira të punës.
“Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës gjithmonë janë të rrezikuar, edhe në shëndet edhe në punë, sepse natyra e punës është e vështirë. Vetëm gjatë vitit 2026 kemi pasur 17 punëtorë të cilët kanë vdekur. Katër prej tyre kanë qenë në aksidente fatale, ndërsa për 13 të tjerë ne mendojmë se kanë vdekur nga sëmundjet profesionale, duke u bazuar në gazrat helmues, pluhurin dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në shëndetin e tyre si pasojë e procesit të punës”, ka thënë Llumnica.
Ai ka theksuar se, përkundër rrezikshmërisë së punës, pagat e punëtorëve nuk janë të kënaqshme.
Llumnica ka bërë të ditur se pas protestës së javës së kaluar, të mërkurën kanë zhvilluar negociata me bordin dhe menaxhmentin e KEK-ut, të cilët kanë kërkuar dy deri në tri ditë kohë për të shqyrtuar kërkesat e punëtorëve.
Në të kundërtën, ai ka deklaruar se protesta dhe greva e paralajmëruar do të vazhdojë.
“Për këtë arsye në KEK gjithmonë ekziston një rrezik, gjithmonë ekzistojnë kushte të vështira, mirëpo pagat nuk janë të kënaqshme. Për këtë arsye ne kemi vendosur dhe kemi protestuar në javën e kaluar, ndërsa kemi pasur negociata me bordin dhe menaxhmentin e KEK-ut, të cilët kanë kërkuar një kohë prej dy-tri ditësh, në mënyrë që të dialogojmë hapur dhe të krijojmë mundësi që të ketë një përgjigje pozitive për punëtorët. Në rast se nuk ka një përgjigje pozitive, ne protestën dhe grevën e paralajmëruar do ta vazhdojmë”, ka thënë Llumnica.
Ai ka thënë se kërkesat e punëtorëve janë rritja e pagave dhe përfitimi i pagës së 13-të, njësoj si punëtorët e sektorit publik.
Sipas Llumnicës, është e pakuptimtë që punëtorët e KEK-ut të mos përfitojnë nga kjo pagë, duke marrë parasysh rrezikshmërinë e punës dhe rëndësinë e shërbimit që ofrojnë.
Ai ka shtuar se punëtorët ndihen të diskriminuar, pasi sipas tij, rreth 30 milionë euro janë rialokuar nga ndërmarrjet publike për pagesën e pagës së 13-të për sektorin publik, ndërsa KEK-u nuk ka përfituar për punëtorët e tij.
“Ne kemi kërkuar ngritjen e pagave dhe pagën e 13-të, ashtu siç e kanë marrë i gjithë sektori publik. Është e pakuptimtë që punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës të mos e marrin pagën e 13-të, duke u bazuar në kushtet e tyre, në prodhimin e një shërbimi jetik dhe në rrezikshmërinë e punës së tyre. Ne nuk jemi kundër sektorit publik, por kemi parë një rialokim të buxhetit, ku flitet për 30 milionë euro që u janë marrë ndërmarrjeve publike për t’ua paguar pagat e 13-ta punëtorëve të sektorit publik, ndërsa këto ndërmarrje, në këtë rast KEK-u, nuk kanë marrë për punëtorët e vet. Patjetër që ndihemi të diskriminuar dhe kjo është arsyeja pse po e shprehim këtë pakënaqësi”, ka potencuar ai./EO















