Në Udhëzimin Administrativ për kushtet, kriteret dhe procedurat e themelimit dhe licencimit të federatave dhe organizatave sportive të Kosovës, asnjë federatë sportive nuk do mund të ri-licencohet nëse udhëhiqet nga njerëz që kanë probleme me ligjin.
Në pikën 2 të nenit 1 të Udhëzimin Administrativ, thuhet se rregullohen edhe procedurat e veçantë e rivlerësimit të licencimit, pezullimit apo revokimit të parakohshëm të licencë.
“Me këtë udhëzim administrativ rregullohet edhe procedura e veçantë e rivlerësimit të licencimit, pezullimit apo revokimit të parakohshëm të licencës, si dhe e drejta në ushtrimin e mjeteve juridike në rastet e parashikuara me këtë udhëzim administrativ”, shkruan në pikën 2 të nenit 1 të dokumentit, mëson Gazeta Metro nga burimet e saja.

Gjithashtu siç mëson Gazeta Metro, në një pikë të Udhëzimit thuhet se asnjë federatë nuk do të themelohet dhe as licencohet apo rilicencohet në rastet kur në organet drejtuese të tyre përgjegjësitë i ushtrojnë personat e dënuar me vendim të formës së prerë prej më shumë se tre muaj burg.
“Ndalesa e njëjtë sikurse në paragrafin gjashtë do të zbatohet në rastet kur federatat sportive në organet e tyre drejtuese të përcaktuara me statut, lejojnë që përgjegjësitë drejtuese t’i ushtrojnë personat e akuzuar për vepra penale të dënueshme prej së paku një vjet burg. Personat e akuzuar për vepra penale, sikurse në këtë paragraf, duhet të pezullojnë aktivitetin e tyre deri në përfundimin e procedurës penale ndaj tyre”, thuhet në pikën 7 të nenit 6 të Udhëzimi që e posedon Gazeta Metro.
Duhet theksuar se viti 2022, është vit i licencimit dhe i ri-licencimit të federatave sportive.












