I akuzuari Safet Smajoviq e ka pranuar fajësinë për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, kurse i pafajshëm u deklarua Qazim Mustafa i akuzuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Deklarimin rreth fajësisë, dy të akuzuarit e bënë në seancën fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Fetije Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Bajrami propozoi që të aprovohet pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Smajoviq.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Smajoviq, avokati Kadri Osaj i propozoi gjykatës që ta aprovoi pranimin e fajësisë. Ai gjithashtu kërkoi që ndaj të mbrojturit të tij që shqiptohet një dënim me gjobë, me arsyetimin se i njëjti ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë, dhe i propozoi gjykatës që t’i largohet masa e paraburgimit, me arsyetimin se Smajoviq është shtetas i huaj dhe mund ta japë një garancinë deri në përfundimin e kësaj çështje.
Më pas gjykata aprovoi pranimin e fajësisë për të akuzuarin Smajoviq dhe ndaj tij u veçua procedura penale.
Për të njëjtin seanca për shpalljen e aktgjykimit u caktua për ditën e sotme.
Ndërsa, procedura penale në lidhje me këtë çështje do të vazhdojë për të pandehurin Qazim Mustafa.
Në këto rrethana, gjykatësi i rastit Mentor Hajraj, e njoftoi të akuzuarin Mustafa dhe mbrojtësit e tij, avokatin Avdi Dinaj dhe avokatin Gazmend Smajli se kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës, në afat prej 30 ditësh.
Në fund, avokati Dinaj i propozoi gjykatës që të pandehurit Mustafa t’i largohet masa e arrestit shtëpiak ose t’i zëvendësohet me ndonjë masë tjetër alternative, me arsyetimin se kanë pushuar kushtet për të cilat ekziston kjo masë.
Lidhur me propozimin e avokatit Dinaj, prokurorja Fetije Bajrami tha që le të vendosë gjykata.
Sipas aktakuzës së ngritur më 3 maj 2024 nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Qazim Mustafa po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, më 24 prill 2024, në orën 11:00, në parkingun e Terminalit Doganor në Mitrovicë, ka keqpërdorë detyrën zyrtare duke mos vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ku gjatë ushtrimit të detyrës ka pranuar dhuratë për vete.
Mustafa në cilësinë e inspektorit të ATK-së, thuhet se ka pranuar dhuratë për vete, dhe atë shumën në vlerë prej 130 euro, të cilat i janë gjetur në xhepin e djathtë të palltos, të cilat para janë sekuestruar nga ana e policisë.
Me këto veprime, sipas aktakuzës ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Safet Smajoviq akuzohet se në ditën, kohën dhe vendin si në pikën e parë të aktakuzës në formë të drejtpërdrejtë i ka dhënë dhuratë personit zyrtar, në atë mënyrë që ai të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.
Në aktakuzë, thuhet se Smajoviq derisa ka qenë në Terminalin Doganor në Mitrovicë, me kamionin e tij, me qëllim të lehtësimit të procedurave për lirimin e mallit, i kishte dhënë 130 euro të pandehurit Qazim Mustafa.
Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Smajoviq ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.













