Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë ka njoftuar se në vikendin e kaluar kanë mbajtur mbledhje me një pjesë të strukturave, ku thonë se kanë diskutuar gjërë e gjatë për të arriturat dhe sfidat e Qeverisë Kurti në këto tri vite.
“Sfidat e sukseset, dialogu e veriu i Kosovës, ekonomia, shëndetësia e arsimi ishin temat të cilat i shtjelluam bashkë me strukturat tona. Meqë tashmë jemi në vit zgjedhor, diskutuam për çështjet organizative, për punët e angazhimet që na presin ditët e muajt në vijim dhe për aktivitetet në kuadër të javës së Lëvizjes”, thuhet në njoftimin e LVV-së së Mitrovicë.
Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se në këtë mbledhje ka pasur edhe ankesa nga të pranishmit për mënyrën e funksionimit të kësaj qendre.
Veriu.info mëson se në këtë mbledhje përfaqësues nga Leposaviqi kanë ngritur shqetësimin në lidhje me procesin e rindërtimit të shtëpive në veri, të cilin proces e kanë quajtur të komprometuar, duke shprehur kështu ankesën para kryetarit të LVV në Mitrovicë, Armend Muja.
Përfaqësuesi nga Leposaviqi që është ankuar në lidhje me procesin e rindërtimit të shtëpive, ka thënë se shtëpitë po iu rindërtohen personave që nuk e meritojnë të jenë përfitues, si dhe ka thënë që ka nga përfituesit që shtëpitë i kanë përfituar me ‘pazare’ private joligjore./Veriu.info












