Sulmuesi i Milan, Zlatan Ibrahimovic ka paralajmëruar pensionimin e tij nga futbolli por pa treguar përafërsisht se kur do të vjen ajo ditë. Ai gjatë një interviste ka lënë të kuptohet se nuk është në formën e tij më të mirë dhe nga dita në ditë pritet pensionimi i suedezit.
Një ndër sulmuesit më të mirë në histori të futbollit, Zlatan Ibrahimovic ka deklaruar se momentalisht është i përqendruar tek skuadra dhe në garën për titull të Serie A, por që e ka kuptuar edhe ai se ka ardhur dita t’i thotë vetes se është mjaftueshëm.
”Nuk ka kuptim më, të luash kur vuan shumë. Dhe të jemi realistë, duhet ti thuash vetes: është mjaftueshëm, boll. Por momentalisht jam përqendruar tek ekipi dhe gara deri në fund dhe kur ke në mendje këto, të tjerat nuk kanë rëndësi,” tha ai për ESPN.
Më tutje ish-sulmuesi i skuadrave të famshme europiane si Inter, Juventus, Barcelona, PSG, Manchester United është shprehur edhe i mërzitur se nuk po mund të luaj në çdo ndeshje. Megjithatë, për të është e rëndësishme që ekipi të korr suksese.
”Normalisht, jam i mërzitur sepse dua të jem në fushë çdo ndeshje. Unë i dashuroj ndeshjet, adrenalinën që më jep kur futem në fushë. Nëse nuk do të mund të luaj dot, do mundohem të ndihmoj shokët në një mënyrë tjetër dhe duke i mbështetur çdo minutë. Gjëja më e rëndësishme është skuadra,” deklaroi 40-vjeçari.
Karriera e tij e bujshme duket se është drejt fundit dhe do të ishte një lajm shumë i hidhur për tifozët e futbollit sepse ai ka qenë një ndër lojtarët më karizmatik që ka parë bota e futbollit.












