Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e 250-të të mbajtur të enjten ka caktuar Njazi Rexhën ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Deri tek marrja e këtij vendimi KPK erdhi pasi më 2 gusht 2024, kryeprokurori aktual Ismet Ujkani arrin moshën e pensionimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu, KPK ka marr vendim që prokurori Ujkani të propozohet tek presidentja për lirim nga detyra për shkak të arritjes së moshës së pensionimit.
Kujtojmë se Ujkani ishte zgjedhur në pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë më 24 dhjetor 2020. Mandati i tij në këtë pozitë kishte filluar nga 1 janari 2021.
Sa i përket caktimit të ushtruesit të detyrës në pozitën e kryeprokurorit, kryesuesi i këshillit, Ardian Hajdaraj tha se janë duke punuar për hartimin e Rregullores së re dhe se do ta shpallin konkursin pas miratimit të kësaj rregulloreje.
“Meqenëse Komisioni për Çështje Normative është duke e hartuar në mënyrë intenzive Rregulloren për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës si dhe së shpejti do të përfundojnë mandatin edhe disa kryeprokuror të tjerë dhe me qëllim të ekonomizimit të procedurës konsideroj se duhet të caktojmë një ushtrues detyre të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë deri në përfundim të kësaj rregulloreje si dhe hapjen e konkursit të ri”, tha kryesuesi Hajdaraj.
Ndryshe, prokurori Rexha është prokuror në Departamentin për Krime të Rënda (DKR) të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.













