Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Gramos Agusholli, ka folur pas votimit të Ligjit për KPM-në në Kuvend.
Agusholli në një prononcim për GazetaBlic, thotë se ata që raportojnë saktë dhe drejt nuk kanë arsye të frikësohen ose të pretendojnë se ky ligj është cenim i fjalës së lirë.
“Kam vërejtur reagimin e pronarëve të mediave dhe gazetarëve në Kosovë lidhur me miratimin e ligjit për KPM-në ditën e djeshme. Së pari, ata që raportojnë saktë dhe drejt nuk kanë arsye të frikësohen ose të pretendojnë se ky ligj është cenim i fjalës së lirë.Mediet që respektojnë neutralitetin në raportim dhe ruajnë normat morale nuk kanë pse të shqetësohen. Në fund të fundit, le të na tregojnë cilat janë defektet në këtë ligj?”, tha Agusholli.
Tutje, ai thotë se në vendet më liberale të Evropës, mediat dënohen me gjoba kur ruajn neutralitetin, ku thotë se në Kosovë prodhohen lajme të rreme dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Agusholli thotë se LDK dhe PDK mund ta dërgojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, ku shton se është një kërkesë që përfaqëson një pjesë të mendimit të qytetarëve.
“Në vendet më liberale të Evropës, mediat dënohen me gjoba kur nuk ruajnë neutralitetin, ndërsa këtu tek ne prodhohen lajme të rreme sipas dëshirës dhe askush nuk mban përgjegjësi. Sa për LDK-në dhe PDK-në që dëshirojnë ta çojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, le ta bëjnë. Është një kërkesë plotësisht legjitime që përfaqëson një pjesë të mendimit qytetar. Nuk shoh asnjë problem në këtë”, përfundoi Agusholli












