Tri skuadrat kosovare, Llapi, Drita dhe Gjilani i mësuan sot emrat e kundërshtarëve me të cilët do të përballen në rrethin e parë kualifikues të UEFA Europa Conference League pas shortit të hedhur sot në Nyon të Zvicrës.
Fituesi i Kupës, Llapi do të përballet me ekipin malazez, Buduçnost nga Podgorica, shkruan “Gazeta Express”.
Kurse, Gjilani do të ketë punë me ekipin nga Letonia, FK Liepaja, shkruan “Gazeta Express”.
Ndërkaq, nënkampioni dhe finalisti i Kupës, Drita do të ketë punë në këtë rreth me ekipin finlandez, Inter Turku.
E ndërkohë, UEFA e ka publikuar edhe orarin e ndeshjeve.
Kështu, skuadrat kosovare ndeshjen e parë përkatëse do t’i luajnë më 7 korrik, kurse atë të kthimit më 14 korrik, shkruan “Gazeta Express”.
Të tri ekipet kosovare, në duelet e para do të jenë mysafire.
E në rast se ndonjëri prej ekipeve kosovare do të kalojë në rrethin e dytë kualifikues, angazhimet në këtë fazë do t’i ketë më 21 e 28 korrik.













