Ylli i Athletic Club dhe përfaqësueses së Spanjës, Nico Williams, ka përmendur tre lojtarët e tij të preferuar italianë, ndërsa ka veçuar dy futbollistë të Romës që mund të shkaktojnë probleme për skuadrën e tij në përballjen e Europa League të enjten mbrëma.
Roma do të presë Athletic Bilbaon në Stadio Olimpico, në ndeshjen e parë të raundit të 1/8-ve të Europa League. Përballja e kthimit do të luhet një javë më vonë në San Mames, Bilbao.
Skuadra italiane përballet me një sfidë të vështirë, pasi Athletic Bilbao ka qenë thuajse i përsosur këtë sezon në Europa League. Ekipi bask e përfundoi fazën e grupeve në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Lazion kryesuese, duke regjistruar gjashtë fitore, një barazim dhe një humbje.
Nico Williams pritet të ketë një rol kyç kundër Romës, por ai e pranon se ekipi i Giallorossëve do të jetë një test i vështirë, veçanërisht duke marrë parasysh formën e tyre të mirë nën drejtimin e trajnerit të ri Claudio Ranieri.
“Roma ka ndërruar trajner sërish dhe tani po bëjnë shumë mirë, kanë fituar katër ndeshje radhazi,” tha 22-vjeçari në një intervistë për La Gazzetta dello Sport.
“Janë një ekip i fortë fizikisht dhe kanë lojtarë me cilësi të jashtëzakonshme,” shtoi ai.
Williams theksoi se Dybala dhe Angelino mund të jenë dy nga lojtarët më të rrezikshëm për Athletic Club.
“Dybala mund të zgjidhë ndeshjen në çdo moment, por nuk është vetëm ai. Angelino është një lojtar i shkëlqyer, me statistika të mira për gola dhe asistime”.
Në intervistën e tij, Williams u pyet edhe për futbollistët e tij të preferuar italianë, ku pa hezitim përmendi Francesco Tottin:
“Totti, është e pamundur të mos e përmendësh atë,” u shpreh ai.
Ndërsa, për lojtarët e tjerë italianë që ka admiruar, spanjolli përmendi Federico Chiesa-n dhe Mario Balotelli-n.
“Chiesa? Ai bëri gjëra të shkëlqyera në qershor, e kam ndjekur me vëmendje dhe më ka pëlqyer shumë. Dhe në vend të parë është Balotelli. Gjatë Kampionatit Europian, unë dhe vëllai im e bëmë modelin e flokëve si ai. E donim shumë atë.”
Përballja mes Romës dhe Athletic Club premton të jetë një nga duelet më të forta të këtij raundi të Europa League, me të dyja skuadrat që synojnë një vend në çerekfinale.