Në një deklaratë të fundit, Ayatollah Khamenei iu është referuar thirrjeve të Donald Trump-it për dorëzim dhe paralajmërimeve për luftë, duke thënë se ata që e njohin historinë e Iranit e dinë se iranianët nuk i përgjigjen mirë gjuhës së kërcënimeve.
Sipas medias shtetërore iraniane, lideri suprem ka thënë se “Irani nuk do të pranojë as paqen e imponuar as luftën e imponuar.”
Ai tutje ka shtuar se, “SHBA-ja duhet ta dijë se Irani nuk do të dorëzohet dhe çdo sulm amerikan do të ketë pasoja serioze dhe të pakthyeshme,” transmeton Express.
Kujtojmë se më herët, edhe ambasadori i Republikës Islamike të Iranit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Ali Bahreini, gjatë një konference për shtyp, tha se vendi do të përgjigjet me forcë ndaj çdo agresioni, ndaj çdo pale.
“Ne do të përgjigjemi me forcë dhe do të ndalojmë çdo agresion nga çfarëdo pale, qoftë Izraeli apo Shtetet e Bashkuara. Ne i kemi dërguar një mesazh të qartë Shteteve të Bashkuara se do të përgjigjemi shumë prerë dhe do të ndalojmë çdo agresion nga kushdo – përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara,” është shpprehur ai.