Pak para nisjes së seancës së 42-të konstituive, deputetët e zgjedhur të Kuvendit u evakuuan nga ky institucion, pas një alarmi për bombë në objektin e parlamentit.
Lidhur me këtë, në “Speciale” të Klan Kosova ka folur eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Ai thotë se durimi i njerëzve ka humbur, transmeton Klankosova.tv.
“Policia ndërmerr masat parandaluese në kuptim të izolimit të vendit dhe evakuimit të qytetarëve nga vendi që supozohet të ketë mjete të rrezikshme, apo ka rrezik për vendosjen e tyre. Ardhja e ekipit të specializuar për deminim të mjeteve që janë paralajmëruar si rrezik, atyre iu duhet më shumë kohë për shkak të kompleksivitetit tonë të krijimit të ekipit”.
“Kritika ime është ndaj deputetëve të Kuvendi të Kosovës. Çdo kërcënim është për t’u gjykuar pa marr parasysh, po realiteti është se ka humbur durimi i qytetarëve, dhe e gjithë kjo bëhet nga një grup anarkist i deputetëve, por ky veprim i papërgjegjshëm, sidomos pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të lojërave të mëtejme me këto seanca të 42-tat me radhë, tregon që ka jo vetëm shkelje administrative, por ka edhe vepër penale të cenimit të Kushtetutës, dhe dënimi është i paraparë deri në 6 vjet. Këta deputetë të papërgjegjshëm nuk do të kenë imunitet”, tha Ibishi.
“Prandaj mendoj që durimi i qytetarëve ka humbur, jam kundër këtyre kërcënimeve, por reagimet si e Arianit Kocit, dhe të tjerëve është se këta anarkistë duhet të mbledhin mend dhe të kryejnë detyrat e veta”.