Malisheva është eliminuar nga pjesëmarrja në garat evropiane, pasi u mposht me rezultat tepër të thellë prej 8-0 në ndeshjen kthyese parakualifikuese të Ligës së Konferencës nga Vikinguri.
Islandezët kaluan në epërsi që në minutën e 11-të me Hansen, i cili 10 minuta më vonë e dyfishoi epërsinë, kurse pas tetë minutash, Vikinguri e shënoi edhe golin e tretë.
Iu deshën vetëm edhe shtatë minuta që Hansen ta realizonte golin e katërt për skuadrën dhe të tretin personal.
Tre minuta nga fundi i pjesës së parë, Hafsteinsson shënoi për 5-0, njofton Klankosova.tv.
Vikinguri shënoi edhe tri herë të tjera në pjesën e dytë, ku Ingimundarson realizoi për 6-0 në minutën e 68-të, kurse vetëm katër minuta më vonë, Jonasson shënoi për 7-0.
Ndërsa, për rezultatin përfundimtar u përkujdes Thorkelsson i cili realizoi në minutën e 82-të të ndeshjes.
Rezultati nga të dyja ndeshjet është 9-0, pasi Vikinguri e pati mposhtur Malishevën me rezultat minimal në “Fadil Vokrri.