Drejtori sportiv i Bayer Leverkusen, Simon Rolfes, ka konfirmuar për përpjekjet e disa klubeve evropiane për të transferuar mesfushorin zviceran, Granit Xhaka.
Në konferencën për media, Rolfes deklaroi: “Granit Xhaka është një lojtar i rëndësishëm për ne. Interesi ynë është që ta mbajmë në skuadër. Sigurisht që ka shumë interes për të. Një gjë është e qartë, një transferim mund të ndodhë vetëm nëse është një situatë e favorshme për të dyja.
“Kemi tre vjet kontratë me të dhe jemi të kënaqur. Qëllimi ynë është që Graniti të qëndrojë. Vet futbollisti nuk i ka komentuar këto gjëra.”
Mes skuadrave që kanë shfaqur interes janë AC Milan, Sunderland i Premier League, si dhe klube të pasura nga Arabia Saudite – si Neom SC. Sunderland monitorohet më konkretisht si një destinacion i mundshëm ku Xhaka mund të ofrojë përvojë dhe liderizëm në mesfushë
Sidoqoftë, Rolfes theksoi se Bayer Leverkusen ka kontratë me Xhakën deri në vitin 2028 dhe qëndrimi i tij aktual është me klubin gjerman, përderisa çdo lëvizje do të ndodhë vetëm nëse është e favorshme për të dyja palët .