Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën, ka parandalur dy raste të ndara të kontrabandimit të mallrave, falë intensifikimit të kontrolleve taktike dhe operacionale përgjatë zonave kufitare.
Rasti i parë ndodhi në afërsi të kufirit RMV–RKS, ku njësia Taskforcë – Lindje, në bashkëpunim me Doganën, ndaloi një automjet me targa vendore.
Gjatë kontrollit u zbuluan mallra të kontrabanduara, përfshirë tekstil, pajisje elektronike, veshmbathje sportive dhe bizhuteri, me vlerë mbi 2 mijë euro, pa dokumentacion përkatës. Automjeti dhe mallrat u shoqëruan në terminalin doganor, ndërsa ndaj personit të dyshuar – mashkull kosovar po merren masa nga njësitet kompetente.
Rasti i dytë është regjistruar në fshatin Lisock, Kamenicë, ku njësitet policore nga DRPK-Lindje SPMK–Muqivërcë ndaluan një tjetër automjet me targa vendore, që tentonte të kontrabandonte 1,500 kg speca nga Serbia.
Malli u konfiskua dhe u dorëzua në Doganën e Kosovës, ndërsa ndaj personit të dyshuar është inicuar rast penal, pas konsultimit me prokurorin kujdestar.