Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka dorëzuar sot ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër bllokimit të financave për Komunën e Prishtinës nga Ministria e Financave.
Rasti është dorëzuar nga Rama dhe zëvendësi i tij, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Shkëmb Manaj.
Manaj tha se fondet e kryeqytetit, të parapara me Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2025, kanë mbetur të bllokuara tash e nëntë muaj.
“Sot së bashku me kryetarin e kqyreqytetit kemi dorëzu një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese kundër Ministrisë së Financave për shkak të cenimit të buxhetit për Komunën e Prishtinës. Siç jeni në dijeni të gjithë, Ministria e Financave për gati nëntë muaj e ka bllokuar buxhetin e Komunës së Prishtinës, i cili buxhet është i përcaktuar në Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore të vitit 2025”, tha Manaj.
“Kjo në argumentin tonë që e kemi ngritur para Gjykatës Kushtetuese, përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës sepse cenohet buxheti, cenohet jeta e qytetarëve dhe të gjitha projektet e qytetit të Prishtinës”, tha nënkryetari i Prishtinës.
Ndërkaq, kryetari Rama tha se kemi të bëjmë me një bllokadë “puro politike”.
“Kemi një bllokadë puro politike, sepse fondet e qytetarëve të kryeqytetit tashmë janë të bllokuara tash e nëntë muaj”, tha Rama.
“Prej unazës së kryeqytetit, ku 82 milionë kanë qenë falas, por ky ministër, Murati, e ka bllokuar procesin para tri vitesh. I njejti ka vazhduar të bllokojë edhe procese të tjera, pra kur e kanë parë që ne si kryeqytet po transformohemi, këta kanë marrë edhe masa të tjera joligjore për t’i bllokuar financat e kryeqytetit”, tha i pari i kryeqytetit.