Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u është drejtuar me një thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, që të kontrollojnë adresën e qendrës së tyre të votimit në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas KQZ-së, për ta bërë këtë në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë, është vënë në dispozicion platforma elektronike:https://qv.kqz-ks.org
“Duke e vizituar këtë faqe, çdo qytetar mund të informohet saktësisht se në cilën qendër mund të votojë më 12 tetor 2025, duke shmangur paqartësitë apo vonesat në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Në bazë të informacioneve nga KQZ, kjo platformë do të jetë e qasshme vazhdimisht, përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve.