Prokuroria Speciale e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Mimoza Kusari-Lilës kundër gazetarit Vehbi Kajtazi për publikimin e bisedës telefonike të kryetares së Alternativës me Millan Radoiçiqin.
Në një aktvendim të nxjerrë javën e kaluar, Prokuroria Speciale ka konstatuar se nuk ka gjetur elemente të veprës penale në rastin e publikimit të audio-incizimit të publikuar nga Paparaci.
Kusari-Lila, në tetor të vitit të kaluar parashtroi kallëzim penal për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndaj gazetarit Kajtazi.
Në kallëzim penal, ish-shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes pretendonte se portali Paparaci.com, me drejtor Vehbi Kajtazin, publikoi një gjoja bisedë të fabrikuar “mes saj, Sllavko Simiçit dhe Millan Radoiçiqit”.
Por, prokurori special Bekim Kodraliu e ka konfirmuar vërtetësinë e audio-incizimit. Ka vlerësuar se, pas dëgjimit me kujdes të bisedës së zhvilluar mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit, nuk ka gjetur elemente për ndjekjen penale të gazetarit.
Sipas aktvendimit, verdikti është marrë pas analizimit të dëshmisë së Kusari-Lilës, dëgjimit të audio-incizimit dhe provave tjera materiale.
“Nga provat personale dhe ato materiale të bashkangjitura në shkresat e lëndës dhe pas analizimit të tyre, e në veçanti pas analizimit të bisedës së zhvilluar mes palëve, e të publikuar në portalin ‘Paparaci.com’ me pronar Vehbi Kajtazi, nuk është vërtetuar me asnjë veprim se të lartcekurit kanë konsumuar elementet e veprës ‘Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’”, thuhet në aktvendim.
Paparaci publikoi në tetor të vitit të kaluar audio-incizimin e një bisede telefonike mes Kusari-Lilës, Sllavko Simiçit dhe Millan Radoiçiqit. Audio-incizimi është autentik. Ai është realizuar në qershorin e vitit 2022.
Komunikimi i Kusari-Lilës me kryeterroristin e Banjkës ishte realizuar me ndërmjetësimin e Sllavko Simiqit, ish-homologut të Kusari-Lilës, deputetit të Listës Serbe.













