Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

A po hyn Bosnja në rrjetin e borxheve dhe ndikimit politik të Kinës?

05/12/2025 - 12:34
në Lajme
A A
A po hyn Bosnja në rrjetin e borxheve dhe ndikimit politik të Kinës?
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Pyetja nëse Bosnja e Hercegovina po hyn në rrjetin e borxheve dhe ndikimit politik të Pekinit shtrohet pas prezantimit të planit të ri pesëvjeçar të Kinës, i cili i premton Bosnjës partneritet “fitim-fitim” dhe mundësi investimi: nga infrastruktura dhe energjetika, përmes bujqësisë, e deri te teknologjitë e avancuara, si inteligjenca artificiale.

Derisa Pekini porosit se “ta ndjekësh Kinën hap pas hapi është njëlloj sikur ta ndjekësh mundësinë”, analistët bëjnë thirrje për “kujdes”.

Ata rikujtojnë modelet e deritanishme të bashkëpunimit që janë karakterizuar nga kontrata të fshehta, mungesë transparence, rreziqe ekologjike dhe ndikim gjithnjë e më i dukshëm politik i Kinës në çështjet e brendshme të Bosnjës.

“Qasja kineze është gjithmonë strategjike dhe afatgjatë”, thotë Pippa Gallop nga rrjeti ndërkombëtar Bankwatch, i cili, ndër të tjera, merret me vëzhgimin e projekteve energjetike me pjesëmarrje kineze në Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, risi paraqet përfshirja “e pazakontë” e Kinës në punët e brendshme të Bosnjës.

Si shembull, ajo përmend fjalimin e përfaqësuesit të Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në nëntor të këtij viti, gjatë të cilit, ai foli kundër përfaqësuesit të lartë në Bosnje, duke vënë në pikëpyetje edhe miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në kontekstin e “rritjes së tensioneve” në vend.

Ajo shton se Kina në vende si Bosnja, “jo vetëm që investon në projekte infrastrukturore, por edhe ndërton ngadalë ndikim përmes kredive, rrjeteve të kompanive dhe iniciativave kulturore”.

Këtë e mbështesin të dhënat e Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja në Bosnje, sipas të cilave nga viti 2010 deri në vitin 2022, Bosnja mori borxh te kreditorët kinezë mbi 2.44 miliardë dollarë, kryesisht për ndërtimin e autostradave, hidrocentraleve dhe termocentraleve.

Çfarë i ofron Kina Bosnjës në pesë vjetët e ardhshme?
Për “mundësitë e reja të bashkëpunimit” në kuadër të planit të ri pesëvjeçar kinez foli i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kinës, Wang Guofei, në një kolumnë të botuar në nëntor.

Ai theksoi se Kina është “partneri më i madh tregtar i Bosnjës në Azi” dhe se plani i ri pesëvjeçar i Kinës “hap mundësi të reja” për lidhje ekonomike midis Kinës dhe Bosnjës.

“Jemi të gatshëm për bashkëpunim fitim-fitim mes Kinës dhe Bosnjës, për të krijuar një të ardhme më të mirë për popullin dhe qytetarët e të dyja vendeve”, deklaroi diplomati kinez.

Nuk janë dhënë as shpjegime pse disa projekte të kompanive kineze në Bosnje mbrohen nga kontrata të fshehta, as nëse ata mbështesin një praktikë të tillë jotransparente të biznesit në këtë vend.

Pushtetit në Bosnje (nuk) i përshtatet transparenca e projekteve kineze
Damjan Ozhegoviq nga Transparency International në Bosnje paralajmëron se “prej vitesh institucionet refuzojnë publikimin e informacioneve kyç për financimin dhe kushtet kontraktore, gjë që me të drejtë ngre dyshime për korrupsion”.

Sipas tij, “shumë informacione, përfshirë normat e interesit dhe afatet e shlyerjes, kurrë nuk kanë qenë publikisht të disponueshme”.

Si shembull, ai përmend ndërtimin e autostradës Banjallukë–Prijedor, ku TI BeH ka fituar madje pesë procese gjyqësore kundër ministrisë përkatëse të entitetit Republika Sërpska, e cila ende, pavarësisht vendimeve gjyqësore, refuzon të ofrojë qasje në modelin financiar.

Kontrata për ndërtimin e kësaj autostrade u nënshkrua në vitin 2018 me kompaninë China Shandong International Economic & Technical Cooperation Group Ltd., pjesë e Shandong Hi-Speed Group Co., Ltd., e cila hapi filial në Banjallukë për këtë qëllim.

Vlera e projektit ishte rreth 297 milionë euro për një rrugë 40 kilometra të gjatë.

Shtatë vjet më vonë, asnjë kilometër e autostradës nuk është përfunduar, ndërsa është miratuar rritje shtesë e çmimit të punimeve prej rreth 80 milionë eurosh, me arsyetimin se “janë shtrenjtuar materialet ndërtimore”.

Kontrata vazhdon të mbahet e fshehtë.

Ozhegoviq shton se autoritetet në Bosnje e kanë detyrimin ligjor të publikojnë informacione të rëndësisë publike, pavarësisht qëndrimit të investitorit privat apo të huaj.

Autoritetet në Bosnje pa përgjigje për mungesën e transparencës në projektet kineze
Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje nga Këshilli i Ministrave të Bosnjës, as nga qeveritë e të dy entiteteve – Federata e Bosnjës dhe Republika Sërpska – lidhur me akuzat për mungesë transparence në marrëveshjet me kompanitë kineze.

Po ashtu, autoritetet nuk kanë ofruar informacion për projektet e mundshme me Kinën në pesë vjetët e ardhshme.

E vetmja përgjigje e pjesshme erdhi nga Qeveria e Republika Sërpska, ku thuhet se entiteti ka “bashkëpunim të mirë” me Kinën në fusha të ndryshme dhe se janë “të hapur” për projekte të reja me “të gjithë investitorët e mundshëm”.

“Kompani shtetërore kineze po punojnë aktualisht në projekte të rëndësishme në Republikën Sërpska, si ndërtimi i hidrocentraleve Bistrica dhe Dabar, si dhe autostrada Banjallukë–Prijedor. Po ashtu, në bashkëpunim me partnerët kinezë është ndërtuar së fundmi spitali në Doboj, ndërsa planifikohen punimet në ndërtimin e pjesës së autostradës Beograd–Banjallukë, me fokus të veçantë në seksionin Vukosavlje–Bërçko”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Republikës Sërpska.

Bosnja duhet t’i shmanget “kurthit të projekteve kineze jotransparente”
Kina po forcon ndikimin ekonomik dhe politik në Ballkanin Perëndimor, dhe Bosnja është pjesë e këtij procesi, paralajmëron për REL-in Marko Banoviq, analist i Qendrës së Forenzikës Digjitale (DFC) nga Podgorica.

“Rreziku më i madh për Bosnjën janë kontratat jotransparente, kontrolli i dobët dhe pasojat ekologjike që shoqërojnë projektet e mëdha infrastrukturore”, thotë Banoviq.

Ai shton se fokusi i Kinës në vitet e ardhshme, përveç infrastrukturës, do të jetë në teknologjitë e informacionit, rrjetet 5G dhe inteligjencën artificiale, si dhe në rritjen e ndikimit kulturor përmes programeve arsimore.

Banoviq paralajmëron edhe për shembullin e Serbisë, ku investimet kineze sollën përfitime ekonomike, por edhe ndotje serioze, shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe rënie të standardeve demokratike.

“Bosnja duhet të shmangë modelet që çojnë në varësi nga kapitali kinez dhe dobësimin e institucioneve, sepse kjo do të rrezikonte afatgjatë integrimin evropian”, përfundon Banoviq.

Projektet e diskutueshme kineze në Bosnje: kontrata të fshehta, punime të dobëta e punëtorë pa leje
Pippa Gallop rikujton disa nga projektet “problematike” të lidhura me kompanitë kineze.

Një nga “marrëveshjet e fshehta” të arritura me Kinën është ndërtimi i Hidrocentralit Dabar, në lindje të Bosnjës.

Qeveria e Republikës Sërpska në dhjetor 2021 nënshkroi kontratën për financimin dhe ndërtimin e hidrocentralit Dabar, me vlerë 190 milionë dollarë.

Hidrocentrali do të ndërtohet nga kompania kineze China Energy Gezhouba Group, me kredi të bankës shtetërore kineze Exim, mbi garancitë e Republikës Sërpska. Ndërtimi ende nuk është finalizuar dhe nuk janë respektuar kërkesat e organizatave për publikimin e detajeve të marrëveshjes.

Ndër punimet e dobëta, Gallop përmend edhe ndërtimin e një seksioni të autostradës në korridorin Vc, në jug të Bosnjës. Në gusht 2023, një urë e sapondërtuar në këtë seksion u ça, çka u sanua më pas.

Ura u ndërtua nga një konsorcium kompanish kineze dhe azerbajxhanase. Si nënkontraktor u përzgjodh përmes tenderit kompania vendase Hering nga Shiroki Brijeg.

Të gjitha kompanitë e përfshira në ndërtimin e urës pranë Poçiteljit – dy kineze, një azerbajxhanase dhe një boshnjake – u futën në listën e zezë të Autostradave të Bosnjës në maj 2023 për shkelje të kontratës së ndërtimit.

Gallop rikujtoi edhe rastin kur China Gezhouba Group u përjashtua gjatë vitit 2023 pasi paraqiti dokumente të falsifikuara gjatë aplikimit në tender për ndërtimin e një seksioni dhe tunelit Prenj në qendër të vendit.

Ajo përmend edhe një rast të fundit në ndërtimin e parkut solar në Stolac, në jug të Bosnjës. Ekzekutues i punimeve është dega boshnjake e kompanisë shtetërore kineze Norinco International Cooperation, e cila është nën sanksione amerikane.

Vdekja e një punëtori 25-vjeçar kinez në kantier zbuloi, pas trysnisë nga banorët, rrjetin e punëtorëve kinezë pa leje pune.

Wang Xin Bo humbi jetën më 20 qershor në kantierin afër Stocit dhe, sipas informacionit të REL-it, nuk kishte leje qëndrimi dhe pune në Bosnje. Prokuroria po heton vdekjen e tij.

U zbulua gjithashtu se mbi 70 shtetas kinezë ishin punësuar ilegalisht në kantier.

Krahas projekteve infrastrukturore, kompanitë kineze janë të përfshira edhe në fusha të tjera.

Kompani kineze Sinopharm dhe Shanxi Construction Investment Group ndërtuan spitalin në Doboj, në veri të Bosnjës, me vlerë fillestare rreth 50 milionë euro, e cila u rrit më pas në mbi 60 milionë euro.

Kontrata u nënshkrua në mars 2019 dhe afati për ndërtimin dhe pajisjen e spitalit ishte viti 2022. Spitali u hap me dy vjet vonesë.

Paralajmërimet nga SHBA dhe BE
Gjatë një seance në Kongresin amerikan më 2 dhjetor, kryetari i Nënkomisionit për Evropën, Keith Self, paralajmëroi se Kina “po përdor marrëveshje ekonomike në të gjithë rajonin për të mbajtur aparatin e saj keqdashës dhe për të shfrytëzuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor”.

Ndërkaq, Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR), në raportin e tij të publikuar në mesin e nëntorit, e rendit Bosnjën ndër “shtetet më të ekspozuara ndaj ndikimit kinez në Ballkanin Perëndimor”, duke paralajmëruar se BE ende nuk ka një politikë të qartë ndaj angazhimit të vendeve kandidate me Kinën.

Theksohet se Pekini po e rrënjos gjithnjë e më thellë veten në sektorët e ekonomisë, industrisë dhe institucioneve në rajon, dhe se ish-presidenti i entitetit Republika Sërpska, Millorad Dodik, i shfrytëzon lidhjet me Rusinë dhe Kinën për të “siguruar mbijetesën politike dhe për të shmangur presionin ndërkombëtar”./REL/

JU REKOMANDOJMË

Kurti pasi u nominua për kryeministër: Është detyrim historik, këtë detyrë do ta përmbushim e s’na ndalë dot askush

Kurti pasi u nominua për kryeministër: Është detyrim historik, këtë detyrë do ta përmbushim e s’na ndalë dot askush
09/05/2026 - 11:43

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim përpara Këshillit të partisë, pasi u rikandidua për kryeministër. Pasi Haxhiu propozoi emrin e tij në krye të listës...

Më shumëDetails

Rekord në Gjermani: Mbi 4100 qytetarë nga Kosova morën shtetësinë në landin e Bavarisë gjatë vitit 2025

Rekord në Gjermani: Mbi 4100 qytetarë nga Kosova morën shtetësinë në landin e Bavarisë gjatë vitit 2025
09/05/2026 - 11:11

Viti 2025 ka shënuar një rekord historik në landin e Bavarisë në Gjermaninë jugore, numri i personave që kanë marrë pasaportën gjermane ka arritur nivele të papara deri...

Më shumëDetails

Nis mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes

Nis mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes
09/05/2026 - 11:04

Ka nisur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvisjes Vetëvendosje. Aktualisht po flet kryetarja e Gruas së VV-së, njëherit u.d. e presidentes Albulena Haxhiu. Ajo tha se bllokadat...

Më shumëDetails

“Mos e përsërisni gabimin”, Ramiz Lladrovci me mesazh për Kryesinë e PDK-së për Fatmir Limajn

“Mos e përsërisni gabimin”, Ramiz Lladrovci me mesazh për Kryesinë e PDK-së për Fatmir Limajn
09/05/2026 - 10:53

Ramiz Lladrovci ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Partia Demokratike e Kosovës dhe mundësinë rikthimit të Fatmir Limajt. Lladrovci tha se pret një lajm të mirë...

Më shumëDetails

Deklarata e Pavarësisë pas divanit, reagon Basha: U sjell në zyrë nga objekti i vjetër dhe po pret derisa zyrtarët e logjistikës ta varin në mur

Deklarata e Pavarësisë pas divanit, reagon Basha: U sjell në zyrë nga objekti i vjetër dhe po pret derisa zyrtarët e logjistikës ta varin në mur
09/05/2026 - 10:23

Ministri në detyrë, Dimal Basha, ka reaguar ndaj një fotografie të publikuar nga zyra e ministrit në detyrë, Dimal Basha. Në atë foto shihej deklarata e pavarësisë që...

Më shumëDetails

LDK mban sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, vendoset për bashkimin me Osmanin

LDK mban sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, vendoset për bashkimin me Osmanin
09/05/2026 - 09:43

Lidhja Demokratike e Kosovës mban sot nga ora 12:00 mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Gjatë kësaj mbledhjeje pritet të vendoset përfundimisht për bashkimin në një listë zgjedhore me presidenten...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Alarm në “Viva Fresh” të Xhevdet Rexhepi – sigurimi përdor sprej paralizues ndaj një gjarpri, përfundojnë në spital dy punëtore, njëra shtatzënë

    Alarm në “Viva Fresh” të Xhevdet Rexhepi – sigurimi përdor sprej paralizues ndaj një gjarpri, përfundojnë në spital dy punëtore, njëra shtatzënë

    148 Shpërndaje
    Shpërndaje 59 Tweet 37
  • Rolex, Q7 – Kush është i arrestuari për dallavere me prona që ishte drejtues i Prishtina Parking?

    101 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Ky do të jetë aderimi i radhës që do ta prezantoj presidentja Vjosa Osmani

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • MINT publikon çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    90 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • “E padijshme, e paskrupullt”, Nexhmedin Spahiu për Vjosa Osmanin, ndërhyn Kerquki

    88 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë