Në kuadër të një hulumtimi për gjendjen e institucioneve shëndetësor private që operojnë në rajonin e Prishtinës, Veriu.info sot ka publikuar artikullin “Ambulancë pa licencë, staf ilegal dhe Antishok terapi gjysmake – skandali i “Dental Care” në Prishtinë”, ku tregohet se si kjo ordinancë ishte gjobitur me 4 mijë euro për parregullsi nga Inspektorati Shendetesor i Ministrisë së Shëndetësisë.
“Dental Care” ka dërguar një reagim në redaksinë e Veriu.info ku nuk i mohon të gjeturat e Inspektoratit Shëndetësor të muajit shtator e as gjobën, por thotë se gjendja aktuale është në rregull.
Reagimi i plotë i “Dental Care”:
Në lidhje me shkrimin e publikuar nga ju me titullin “Ambulancë pa licencë, staf ilegal dhe Antishok terapi gjysmake – skandali i ‘Dental Care’ në Prishtinë”, dëshirojmë të sqarojmë se informacioni i paraqitur nuk pasqyron gjendjen aktuale faktike.
Inspektimi i përmendur në shkrim është realizuar në muajin shtator, ndërsa të gjitha vërejtjet e dhëna nga autoritetet përkatëse janë adresuar brenda afatit ligjor.
Aktualisht, ordinanca Dental Care është e licencuar dhe funksionon në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, gjë që mund të vërtetohet me dokumentacion zyrtar.
Publikimi i këtij shkrimi pa sqarimin se bëhet fjalë për një situatë të kaluar dhe tashmë të rregulluar krijon perceptim të gabuar te publiku dhe dëmton padrejtësisht reputacionin e institucionit tonë.














