Çështja e energjisë elektrike dhe paralajmërimet për një dimër të vështirë kanë rikthyer kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e këtij sektori. Në mesin e kritikëve është edhe ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, i cili në një intervistë për REL ka paralajmëruar se ndërprerjet e rrymës do të godasin veçanërisht bizneset prodhuese, të cilat do të detyrohen të përdorin gjeneratorë dhe të përballen me kosto shtesë.
Çeku e ka cilësuar si të papranueshëm mungesën e bashkëpunimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe Edi Rama, duke kërkuar bashkëpunim afatgjatë me Korporatën Energjetike të Shqipërisë.
Ai ka kritikuar edhe vendimin e Qeverisë për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke vlerësuar se energjia është treg i hapur dhe nuk duhet të kufizohet nga kornizat politike. Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë energji me kosto sa më të ulët për qytetarët dhe bizneset.
Ndërkohë, Qeveria Kurti është përballur vazhdimisht me kritika për situatën energjetike, veçanërisht pas rritjeve të njëpasnjëshme të çmimit të rrymës, të cilat, sipas kritikëve, kanë ndikuar edhe në shtrenjtimin e produkteve dhe rritjen e kostos së jetesës.












