Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 94 mijë e 598 euro e 24 centë për mirëmbajtjen preventive dhe remontin e furnizuesve të thëngjillit në blloqet A3, A4 dhe A5 të Termocentralit “Kosova A”.
Sipas raportimit të IndeksOnline, kontrata është lidhur më 19 nëntor me kompaninë “Monting Energjetika” SH.P.K., pas një aktiviteti të prokurimit të iniciuar më 14 shtator.
Në tender kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, ofertat e të cilëve janë vlerësuar si të përgjegjshme. Megjithatë, kontrata i është dhënë kompanisë që ka ofruar çmimin më të ulët.
Furnizuesit e thëngjillit janë pajisje rrotulluese të kaldajave, të cilat funksionojnë 24 orë në ditë dhe konsiderohen vitale për operimin e blloqeve. Secili prej blloqeve A3, A4 dhe A5 ka nga tetë furnizues, të cilët sigurojnë furnizimin me thëngjill të mullinjve.

















