Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Flamuri i Kosovës mbi Himalaje, një ëndërr e përmbushur e Uta Ibrahimit

17/02/2026 - 14:04
në Sport
A A
Flamuri i Kosovës mbi Himalaje, një ëndërr e përmbushur e Uta Ibrahimit
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Në një botë ku kufijtë fizikë dhe mendorë duken gjithnjë e më të pamëshirshëm, rrallëherë shfaqen histori që i tejkalojnë ata me qetësi, dinjitet dhe kuptim të thellë njerëzor. Historia e Uta Ibrahimit nuk është vetëm një rrëfim për alpinizëm ekstrem apo për ngjitjen e majave mbi 8,000 metra. Ajo është një histori identiteti, përkatësie dhe sakrifice, e shkruar hap pas hapi mes akullit, rrezikut dhe vetmisë, por e mbajtur gjallë nga dashuria për Kosovën dhe njerëzit e saj. Për tetë vite me radhë, Uta Ibrahimi ka sfiduar jo vetëm malet më të rrezikshme të planetit, por edhe kufijtë e trupit, mendjes dhe shpirtit.

Çdo ekspeditë ka qenë një përballje me frikën, humbjen, lodhjen dhe pasigurinë, por edhe një dëshmi e jashtëzakonshme e qëndrueshmërisë njerëzore. Në çdo majë ku ka qëndruar, flamuri i Kosovës dhe ai kombëtar, ka qenë i pranishëm jo si simbol formal, por si barrë emocionale dhe përgjegjësi morale për të përfaqësuar një vend të vogël me histori të dhimbshme, por me forcë të jashtëzakonshme shpirtërore.

Kjo intervistë nuk është një listë suksesesh apo rekordesh sportive. Është një rrëfim i sinqertë për dhimbjen e humbjes, për sakrificat personale që nuk shihen, për paragjykimet, për vetminë dhe për momentet kur kthimi në shtëpi ka qenë më i rëndësishëm se arritja e majës. Uta flet hapur për babain e saj, për traumën e Shishapangmës, për vitet e jetuara në pasiguri dhe për çmimin personal që ka paguar për të jetuar besnikërisht ndaj vetes.

Në të njëjtën kohë, kjo është një histori shprese. Një dëshmi se nga një vend i vogël si Kosova mund të dalin histori që prekin botën. Se gratë mund të jenë të forta pa humbur ndjeshmërinë. Dhe se ëndrrat e mëdha, edhe kur duken të pamundura, mund të realizohen kur puna, dashuria dhe guximi ecin së bashku.

Në këtë intervistë për Albinfo.ch, Uta Ibrahimi rrëfen gjithçka, pa filtra, pa zbukurime dhe pa kompromis, duke ndarë me lexuesin jo vetëm majat që ka ngjitur, por edhe peshën që ka mbajtur në zemër gjatë gjithë këtij rrugëtimi.


Çfarë përfaqëson Kosova për ju në këtë rrugëtim?

UTA IBRAHIMI: Për mua, Kosova ka qenë dhe mbetet motivi kryesor pas çdo ngjitjeje që kam bërë. Çdo hap drejt majave më të larta të botës e kam marrë duke e pasur Kosovën me vete – në zemër, në mendje dhe në flamur. Pavarësia e Kosovës është një nga momentet më të bukura dhe më të paharrueshme të jetës sime. Ende e kam shumë të freskët kujtimin e asaj dite dhe gëzimin e madh në Sheshin Nënë Tereza, ku u ndje një energji e rrallë bashkimi, shprese dhe krenarie.

Çfarë ndjeni në momentet kur arrini majën?

UTA IBRAHIMI: Në ato momente, më vijnë në mendje të gjithë njerëzit e Kosovës – si një i vetëm. Është sikur i mbaj të gjithë me vete, në një thes simbolik, lart në majë. Më shfaqen para syve sytë e bukur dhe të ndritshëm të fëmijëve që i takoj nëpër shkolla gjatë vizitave të mia. Energjia e tyre, ëndrrat e tyre dhe besimi i pastër që kanë në jetë janë aty me mua, në çdo frymëmarrje. Në atë çast, nuk jam vetëm – jam e mbushur me gjithë forcën, shpresën dhe dritën e tyre.

Albinfo.ch: Sa i rëndësishëm ka qenë identiteti juaj shqiptar në rrugëtimin tuaj?

UTA IBRAHIMI: Identiteti im si shqiptare ka qenë një shtyllë shumë e rëndësishme në gjithë rrugëtimin tim profesional dhe jetësor. Të vish nga një vend i vogël, me një histori të dhimbshme, por me njerëz jashtëzakonisht të fortë, të mëson që qëndrueshmëria, durimi dhe këmbëngulja nuk janë zgjedhje – janë mënyrë jetese. Si shqiptare, jam rritur me ndjenjën se duhet të punoj dyfish për t’u dëshmuar, por edhe me krenarinë për të përfaqësuar një popull që nuk është dorëzuar kurrë. Ky identitet më ka dhënë forcë të besoj në veten time edhe kur kushtet kanë qenë të pabarabarta, kur dyshimet kanë qenë të mëdha dhe rruga shumë e vështirë. Në çdo majë ku kam qëndruar, identiteti im shqiptar nuk ka qenë thjesht një përkatësi kombëtare, por një burim force, përgjegjësie dhe frymëzimi – për të treguar se edhe prej një vendi të vogël mund të dalin histori të mëdha.

Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë këtij projekti?

UTA IBRAHIMI: Kam pasur shumë momente jashtëzakonisht të vështira gjatë ngjitjeve në majat më të larta të botës. Ky ka qenë një projekt që ka zgjatur 8 vite – vite me punë të pandërprerë për sigurimin e fondeve, me stërvitje të vazhdueshme dhe me përballje të pafundme me ngjitje shumë të rënda, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Edhe pse jam një person që përpiqet gjithmonë ta mbajë motivin lart dhe të gjejë diçka pozitive edhe në momentet më të errëta, ka pasur çaste kur lodhja, frika dhe dyshimi kanë qenë reale. Pikërisht në ato momente, forca kryesore për të vazhduar kanë qenë njerëzit e mi – familja, shoqëria, mbështetja e tyre e pakushtëzuar – por edhe fëmijët dhe i gjithë populli i Kosovës, që i kam ndjerë gjithmonë pranë me besim dhe përkrahje. Mendimi se nuk jam vetëm aty lart, se çdo hap përpara përfaqëson shpresë, frymëzim dhe një mesazh për të tjerët, më ka dhënë forcë të vazhdoj edhe atëherë kur trupi donte të ndalej.

Cila ka qenë maja më sfiduese për ju?

UTA IBRAHIMI: Pa asnjë dyshim, maja më sfiduese për mua, emocionalisht, ka qenë Dhaulagiri. Është një majë e mbushur me emocione të thella dhe sa herë e kujtoj, më rrjedhin lotët. Dhaulagirin e kam ngjitur në tentimin e tretë. Në tentimin e parë, gjatë kohës që isha në ekspeditë, ndërroi jetë babai im – bibi im, heroi im. Në atë moment, pa asnjë dyshim, e ndërpreva ekspeditën dhe u ktheva në shtëpi. Asnjë majë nuk kishte më rëndësi. Tentimi i dytë dështoi për shkak të kushteve të rënda – mali nuk na la të kalonim. Ishte një tjetër provë durimi dhe pranimi. Në tentimin e tretë, gjithçka mori një kuptim tjetër. E ngjita majën më 17–18 maj, pikërisht në ditëlindjen e bibit tim. Në summit ishim vetëm katër persona. Ngjitja ishte pothuajse e pamundur, por gjatë gjithë rrugës e ndjeja babain pranë meje. Sikur më udhëhiqte hap pas hapi, sikur më mbante dorën deri në fund të majës. Kjo majë më ka rritur dyfish – si njeri dhe si grua. Më ka ndryshuar thellë, më ka forcuar, por njëkohësisht më ka zbutur. Dhaulagiri nuk ishte vetëm një ngjitje; ishte një proces shërimi, një dialog i heshtur mes meje dhe dhimbjes, dhe një dëshmi se dashuria dhe lidhja shpirtërore nuk ndalen as në lartësitë më ekstreme.


Ndërsa fizikisht, majat më të vështira për mua kanë qenë K2 dhe Annapurna. Të dyja këto maja njihen botërisht si ndër më të vështirat dhe më të rrezikshmet në botë, për shkak të terrenit ekstrem, kushteve të paparashikueshme dhe rrezikut të vazhdueshëm. Çdo hap në këto male ka qenë një përballje e drejtpërdrejtë me kufijtë e trupit dhe mendjes. Për këtë arsye, jam përjetësisht mirënjohëse ndaj Nënës Natyrë që më lejoi t’i ngjis këto maja dhe, mbi të gjitha, të kthehem e plotë dhe e sigurt në shtëpi. Në fund, suksesi i vërtetë nuk është vetëm të arrish majën, por të kesh mundësinë të kthehesh dhe ta vazhdosh jetën me edhe më shumë respekt për forcën dhe madhështinë e maleve.

Çfarë do të thotë për ju fakti që sot jeni frymëzim për shumë gra?

UTA IBRAHIMI: Është një ndjenjë shumë e bukur dhe e veçantë për mua fakti që sot jam frymëzim për shumë vajza dhe gra shqiptare – dhe jo vetëm. Më gëzon thellë të di që rrugëtimi im vazhdon të frymëzojë jo domosdoshmërisht vetëm për të ngjitur maja të larta, por mbi të gjitha për të besuar tek vetja dhe tek forca e brendshme. Kur e nisa këtë rrugëtim drejt majave të botës, nuk e kisha mbështetjen e duhur nga shoqëria. Kishte shumë dyshime, paragjykime dhe mungesë besimi. Por pikërisht përmes punës së madhe, këmbënguljes dhe përkushtimit, arrita jo vetëm ta përfundoj projektin tim, por edhe të kthehem në një shembull që sot i motivon të tjerët. Me thënë të drejtën, është një ndjenjë që të mbush zemrën. Gjithmonë kam besuar se jemi në këtë jetë për të bërë diçka jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Dhe sot, me bindje të plotë, mund të them se ia kam dalë ta jetoj këtë besim në praktikë.


Cilat kanë qenë sakrificat personale më të mëdha?

UTA IBRAHIMI: Kjo është një pyetje shumë e gjerë dhe, sinqerisht, do të mund të flisja pafund për të. Por ajo që më dhemb më shumë është fakti kur ka njerëz që, nga karriget e ngrohta dhe nga një jetë e rehatshme, komentojnë lehtë dhe thonë: “Po ani, de, për vete e ke bërë.” Këto fjalë shpesh i minimizojnë vite të tëra sakrifice që nuk shihen dhe nuk kuptohen. Sfidat e mia nuk kanë qenë vetëm ngjitjet në male. Ky ka qenë një rrugëtim që ka zgjatur 8 vite dhe që, në shumë forma, vazhdon ende. Ka qenë një jetë e kaluar larg njerëzve të dashur, larg një stabiliteti financiar dhe larg një stabiliteti familjar. Sot jam 42 vjeçare dhe pothuajse gjithë jetën e kam jetuar në lëvizje, në pasiguri, duke zgjedhur një rrugë që rrallë kush është i gatshëm ta marrë. Besoj që gratë e kuptojnë këtë më mirë se kushdo tjetër – sidomos kur shoqëria shpesh pret prej teje siguri, qetësi dhe role të përcaktuara, jo rrezik, sfidë dhe pasiguri të vazhdueshme. Sidoqoftë, pavarësisht gjithë këtyre sakrificave, zemra ime është e mbushur plot. Po, ka momente kur ndihem e vetmuar, dhe ato janë reale. Por në fund, e di që kjo rrugë më ka dhënë diçka shumë të çmuar: ndjenjën se kam jetuar me kuptim, me guxim dhe me besnikëri ndaj vetes sime.

A ka pasur momente dyshimi apo frike të thellë?

UTA IBRAHIMI: Nuk kam pasur shumë momente ku kam dyshuar në veten time, sepse gjithmonë jam përpjekur të gjej diçka pozitive për të vazhduar përpara, edhe kur ka qenë shumë e vështirë. Por ka një moment që më ka tronditur thellë dhe që e mbaj ende me vete. Ai moment lidhet me Shishapangma, kur isha shumë afër vdekjes. Një ortek ra para syve të mi dhe, në atë tragjedi, humbëm katër shokë/shoqe nga ekipi ynë. Ishte një përjetim që më theu emocionalisht dhe psikologjikisht. Pas atij momenti, e pata jashtëzakonisht të vështirë të kthehesha sërish në ekspedita, e sidomos të mendoja rikthimin në të njëjtën majë. Kur u ktheva në shtëpi, trupi dhe mendja ime ishin plotësisht të shkatërruara. Kam kaluar shumë kohë në fizioterapi, duke u përpjekur të rikthehem jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Trauma ishte dhe mbetet reale – ende e mbaj me vete. Kapërcimi nuk ka ardhur shpejt dhe as lehtë. Ka ardhur përmes kohës, pranimit, punës së madhe me veten dhe respektit për frikën. Nuk e kam mohuar atë që më ndodhi; e kam pranuar si pjesë të rrugëtimit tim. Dhe ndoshta pikërisht kjo më ka ndihmuar të vazhdoj: të eci përpara jo duke harruar, por duke jetuar me atë që kam përjetuar.


Çfarë mesazhi keni për të rinjtë shqiptarë?

UTA IBRAHIMI: Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë është i thjeshtë, por i vërtetë: me punë arrihet gjithçka. Punë e vazhdueshme, punë me përkushtim, dhe shpeshherë shumë më tepër punë sesa mendojmë se kemi forcë të japim. Por puna vetëm nuk mjafton. Duhet edhe shumë dashuri – dashuri për atë që ëndërroni, për veten tuaj, për rrugën që zgjidhni dhe për njerëzit përreth jush. Do të ketë pasiguri, dyshime dhe momente kur askush tjetër nuk do të besojë tek ju. Në ato çaste, besimi juaj tek vetja është ajo që bën dallimin. Mos prisni të jeni gati. Filloni. Punoni. Gaboni. Mësoni. Dhe vazhdoni. Sepse ëndrrat e mëdha kërkojnë guxim të madh, por shpërblimi i tyre është të jetosh një jetë me kuptim.

Çfarë dëshironi që historia juaj t’i tregojë botës për Kosovën?

UTA IBRAHIMI: Historia ime tashmë u ka treguar shumë vendeve të botës se kush është Kosova dhe kush janë shqiptarët. Në secilën ekspeditë – jo vetëm në majat mbi 8,000 metra – kam vendosur flamurin e Kosovës dhe të kombit shqiptar, si një simbol krenarie, përkatësie dhe identiteti. Jam ndër të paktat atlete nga Kosova që kam arritur të marr mbështetje nga brende të mëdha ndërkombëtare, dhe kjo ka qenë një mënyrë tjetër për ta vendosur Kosovën në hartën botërore të sportit dhe aventurës. Sot, shumë njerëz e dinë ku është Kosova. Shumë e dinë se çfarë populli jemi: punëtor, i qëndrueshëm, i guximshëm dhe me ëndrra të mëdha. Ajo që dua që historia ime t’i tregojë botës është se nga një vend i vogël mund të dalin njerëz me forcë të madhe, me vlera, me vizion dhe me aftësi për të qëndruar denjësisht krah për krah me më të mirët në botë.

JU REKOMANDOJMË

Formacioni zyrtar i Barçës për duelin ndaj Gironas

Formacioni zyrtar i Barçës për duelin ndaj Gironas
16/02/2026 - 20:50

Barcelona e mposhti Gironën me rezultatin 4-1, kur të dyja ekipet u përballën me njëra-tjetrën në ndeshjen e parë në Camp Nou.Barcelona sot vjen pas një humbjeje 4-0...

Më shumëDetails

Futbollisti simpatik: Më pëlqejnë Llapi e Real Madridi, e si lojtar Vedat Muriqi

Futbollisti simpatik: Më pëlqejnë Llapi e Real Madridi, e si lojtar Vedat Muriqi
16/02/2026 - 15:30

Një futbollist i vogël simpatik i ka treguar preferencat e tij në futboll. I ftuar në TeVe1, ky vogëlush i tregoi se cilat ekipe i pëlqejnë në Kosovë...

Më shumëDetails

Lewandowski mund ta barazojë Ronaldinhon në La Liga

Lewandowski mund ta barazojë Ronaldinhon në La Liga
16/02/2026 - 12:18

Robert Lewandowski është afër një rekordi historik në La Liga, i cili mbahet nga legjenda braziliane Ronaldinho. Që kur iu bashkua Barcelonës në verën e vitit 2022, sulmuesi...

Më shumëDetails

Fisnik Asllani: Ndonjëherë pasoj me sy mbyllur, sepse e di saktësisht se ku është dikush

Fisnik Asllani: Ndonjëherë pasoj me sy mbyllur, sepse e di saktësisht se ku është dikush
15/02/2026 - 17:49

Sulmuesi kosovar, Fisnik Asllani, u shfaq i lumtur të shtunën pas fitores 3:0 të Hoffenheim ndaj Freiburg, ku realizoi golin e parë të ndeshjes. Asllani nuk kishte shënuar...

Më shumëDetails

Xhoxhaj nokauton “KingKongun” suedez, mbron titullin EBU

Xhoxhaj nokauton “KingKongun” suedez, mbron titullin EBU
15/02/2026 - 13:35

Boksieri kosovar, Labinot Xhoxhaj, e ka mbrojtur titullin e kamponit evropian në EBU. Xhoxhaj e ka ‘rrahur’ suedezin Pezhman Seifkhani, në duelin e zhvilluar Lahr të Gjermanisë. Boksieri...

Më shumëDetails

Përballja me Barcën, ironizon Simeone: “Nuk e kanë Cristiano Ronaldon”

Përballja me Barcën, ironizon Simeone: “Nuk e kanë Cristiano Ronaldon”
15/02/2026 - 13:34

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, reagoi me humor kur u pyet nëse Barcelona mund të përmbysë rezultatin 4:0 në ndeshjen e kthimit të Copa del Rey. “Ata...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ky është muaji kur do të ndahet paga e 13-të për sektorin publik

    Ky është muaji kur do të ndahet paga e 13-të për sektorin publik

    99 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Akuzohej se i dha borxh me fajde Afrim Muçiqit në shumën 70 mijë euro, dënohet me 1 mijë e 700 euro gjobë pas rikualifikimit të veprës penale

    225 Shpërndaje
    Shpërndaje 90 Tweet 56
  • Hamza i kujton Kurtit deklaratën për pagat dhe tatimet: Më pëlqeu, tash e ke mirë

    116 Shpërndaje
    Shpërndaje 46 Tweet 29
  • Nysret Pllana: Për një natë “shqiptarëzinjtë” i mbledhin miliona franga për një xhami të hamamit

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • “Nuk e di çka të kanë borxh njerëzit e shtëpisë sime”, Buzhala e Rexhaj sqarohen përball njëri-tjetrit

    88 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë