Shkelja e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nga bizneset që vendosin kamera mbetet një problem shqetësues. Shpesh, sistemet e vëzhgimit instalohen pa respektuar kriteret ligjore dhe pa informuar qytetarët në mënyrë të duhur. Kjo cenon privatësinë dhe rrit nevojën për mbikëqyrje më të rreptë institucionale.
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), si agjenci e pavarur përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, vitin e kaluar ka realizuar një inspektim në kompaninë “Mediteran Group” lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personave përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, raporton Veriu.info.
AIP ka gjetur se “Mediteran Group” ka vendosur sistem të vëzhgimit me kamerë në hapësirat e jashtme dhe të brendshme, në gjithej 65 copë.
Veriu.info ka siguruar një vendim të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, të nxjerrë pas inspektimit në “Mediteran Group”, ku është konstatuar se kjo kompani vëzhgimin me kamera e ka bërë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pasi që te kamerat e vendosura mungon shenja informuese/njoftuese se kamera hapësira monitorohet me kamera.



Po ashtu, AIP ka gjetur se “Mediteran Group” në kundërshtim me ligjin, nuk ka vendim të brendshëm për vendosjen e sistemit të vëzhgimit.
Për shkak të këtyre shkeljeve ligjore, AIP ka urdhëruar kompaninë “Mediteran Group” të ndaloj përkohësisht përpunimin e të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamerë, si dhe të bëjë shkatërrimin e të dhënave të mbledhura përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë.
AIP përmes këtij vendimi e ka njoftuar kompaninë “Mediteran Group” se përpunimin e të dhënave përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë mund ta bëjë vetëm pas plotësimit të kritereve ligjore.
Veriu.info ka kontakuar “Mediteran Group” në lidhje me këto shkelje të gjetura nga AIP, e cila ka konfirmuar se inspektorët e AIP e kanë vizituar kompaninë e tyre, duke treguar se vendimi i AIP është marrë në konsideratë dhe janë ndërmarrë masa konkrete për harmoniziminë e plotë me kërkesat ligjore.
“Duam të theksojmë se në hapësirat tona kemi vendosur njoftime informuese për mbikëqyrje me kamera, të cilat përmbajnë të dhënat bazë (kontrolluesi, kontakti, qëllimi dhe afati i ruajtjes), duke reflektuar transparencë ndaj klientëve dhe stafit. Pas vendimit të AIP, janë ndërmarrë masa të menjëhershme dhe aktualisht kompania operon në perputhje me legjislacionin ne fuqi. Nuk ka vazhdim të praktikave në kundërshtim me ligjin”, thuhet në përgjigjen e “Mediteran Group” për Veriu.info.
Tutje, në përgjigjen e “Mediteran Group” thuhet se qasja në sistemet e mbikëqyrjes ka qenë dhe është e kufizuar vetëm për persona të autorizuar, brenda përgjegjësive të tyre funksionale, dhe është duke u forcuar më tej përmes procedurave të brendshme, përveç pamjeve vizuele nuk kemi asnjë të dhënë personale.
“Deri më tani, kompania nuk ka evidentuar asnjë rast të keqpërdorimit të pamjeve nga ana e punonjësve. Të dhënat janë trajtuar dhe po trajtohen në përputhje me kërkesat ligjore dhe vendimin e AIP, përfshirë edhe afatet dhe procedurat përkatëse të ruajtjes dhe fshirjes”, theksohet në përgjigjen e “Mediteran Group”.
Deri këtu përgjigja e “Mediteran Group” ishte korrekte, duke thënë ndër të tjera se ‘nuk ka vazhdim të praktikave në kundërshtim me ligjin’, por që në fund të përgjigjes kompania bie në kundërshtim me përgjigjet e dhëna me sipër dhe me vendimin e AIP, pasi që thotë: “Ne nuk kemi mbedhje të dhënave personale përpos pamjeve vizuele, dhe asnjëherë nuk kemi pasur mbedhje të dhënave personale në kundërshtim me ligjin të cilën gjë e vërteton edhe proces verbali inspektues i cekur me lartë.
Pra, fillimisht thuhet se nuk ka vazhdim të praktikave në kundërshtim me ligjin, pastaj përgjigja në pyetjen e fundit përmbyllet duke thënë se asnjëherë nuk kanë pasur mbedhje të dhënave personale në kundërshtim me ligjin, gjë që është kontradiktë në vetvete.
Se ka pasur mbledhje të të dhënave përmes pamjeve vizuele në mënyrë të kundërligjshme, e vërteton vendimi i AIP.
Krahas përgjigjeve për Veriu.info, “Mediteran Group” ka dërguar edhe fotografitë e mëposhtme, me të cilat thotë se dëshmohet që tash po e respektojnë ligjin. Po ashtu “Mediteran Group” ka dërguar edhe vendimin e nxjerrë për vendosjen e kamerave.


Foto kryesore e ballinës së lajmit: Ilustrim















