Analisti Visar Ymeri ka deklaruar se rasti i Banjskës është dëshmia më e mirë se Kosova duhet të ketë koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë në çështjet e sigurisë dhe drejtësisë.
Duke folur në emisionin “VV Show”, Ymeri tha se për ngjarjen në Banjskë nuk është kurrë e mjaftueshme të flitet, pasi sipas tij ky rast ka treguar qartë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ai kujtoi deklaratat e mëhershme të kryeministrit Albin Kurti lidhur me veprimet “me koordinim apo pa koordinim”, duke shtuar se rasti i Banjskës dëshmon se koordinimi ka qenë i domosdoshëm.
Sipas Ymerit, ngritja e aktakuzës dhe fitimi i betejës në Banjskë nuk do të ishin të mundura pa bashkëpunimin me ndërkombëtarët. Ai theksoi se informacionet dhe mbështetja që kanë ardhur nga partnerët ndërkombëtarë kanë ndihmuar institucionet e Kosovës në menaxhimin e situatës.
Ymeri vlerësoi edhe veprimin e Policisë së Kosovës, duke thënë se ajo arriti të zmbrapsë një grup të organizuar mirë dhe të armatosur rëndë brenda pak orësh.
Megjithatë, ai nënvizoi se suksesi i operacionit nuk do të arrihej pa mbështetjen dhe koordinimin me faktorët ndërkombëtarë.












