Britania të hënën e regjistroi ditën më të nxehtë ndonjëherë për muajin maj, njoftoi shërbimi kombëtar i motit, pasi temperatura shkoi në gati 35 gradë Celsius.
Zyra Meteorologjike tha se temperatura e regjistruar ishte 34,8 gradë Celsius në Kew Gardens, në perëndim të Londrës, duke e tejkaluar rekordin e mëparshëm për vapën më të madhe në maj, që ishte regjistruar më 1922 dhe 1944 prej 32,8 gradësh, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas një studimi të vitit të kaluar, gjasat për thyerjen e rekordit prej 32,8 gradësh të majit ishin tri herë më të larta si rezultat i ndryshimeve të klimës, që kanë ndodhur si pasojë e lirimit të gazrave serrë, tha Zyra Meteorologjike.
“Kjo vapë do të ishte e jashtëzakonshme në Mbretërinë e Bashkuar edhe në mesin e verës, lëre më në maj” – thuhet në njoftim.
E hëna ishte gjithashtu dita më e nxehtë në një rast të festës publike që nga koha e fillimit të regjistrimit të të dhënave më 1884, duke e thyer rekordin e mëparshëm, i regjistruar me 33,3 gradë në gushtin e vitit 2019.














