Në një tubim të madh të mbajtur me qytetarë në Rahovec, Presidentja e 6-të e Kosovës dhe kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për mandatin e dytë të presidentes, Vjosa Osmani, ka përcjellë mesazhe të qarta politike lidhur medrejtimin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar lart sakrificën, mundin dhe dinjitetin e vreshtarëve dhe familjeve të kësaj treve.
Sipas saj, Kosova nuk mund të dorëzohet dhe as të pranojë të kthehet në një cikël të pafundëm zgjedhjesh e tensioni politik që nuk sjell siguri e as të ardhme. Ajo theksoi se këto zgjedhje janë një moment përcaktues për drejtimin e vendit.
Në fjalën e saj, Osmani bëri të qartë se dilema kryesore e këtyre zgjedhjeve nuk është mes individëve, por mes dy modeleve të shtetit.
“Po vendoset për modelin e shtetit që do ta kemi për dekadat që vijnë: nëse do të kemi një Republikë me institucione që balancojnë njëra-tjetrën, apo një sistem ku çdo gjë varet nga një dorë e vetme politike“.
Në një periudhë ndryshimesh globale dhe rajonale, ajo nënvizoi se Kosova nuk ka luks të humbë kohë dhe ka nevojë për një qeverisje që ndërton e nuk eksperimenton.
Në këtë vizion për një lidership afatgjatë, Osmani prezantoi kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhikun, të cilin e cilësoi si përfaqësues i një gjenerate të re udhëheqjeje, i shkolluar, i përgatitur dhe me përvojë ekzekutive, i cili ka dëshmuar aftësinë për të udhëhequr me dije e rezultate konkrete.
Në mbyllje të fjalës së saj, u vu theksi te fuqizimi i familjes dhe rolit të gruas në ekonomi e institucione. Osmani deklaruara se politika e re e vendos familjen në qendër të shtetit si investimin më të rëndësishëm kombëtar, ku shteti është partner dhe jo barrë.
“Sonte nga Rahoveci: Kosova zgjedh stabilitetin, punën, familjen e ndershme dhe të ardhmen“, përfundoi ajo.


















