Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të qëndrojë nesër për vizitë në Kosovë.
Ai do të pritet në takim nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, shkruan Reporteri.net.
Sipas njoftimit të Presidencës, takimi do mbahet në orën 11:00.
“Në orën 11:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, pret në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa”, thuhet në njoftim.
Policia ka thënë se për të mundësuar zhvillimin e sigurt të aktiviteteve të parapara gjatë vizitës, do të ndërmarrë masa të përkohshme të kontrollit dhe rregullimit të trafikut. Këto masa mund të përfshijnë ndërprerje të shkurtra kohore të qarkullimit në segmente të caktuara rrugore, si dhe riorientim të trafikut në rrugë alternative, varësisht nga nevojat operative dhe vlerësimet e sigurisë.
“Policia e Kosovës do të punojë në koordinim me institucionet përkatëse për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës dhe për të minimizuar ndikimin e masave të sigurisë në lëvizjen e qytetarëve. Me këtë rast, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve dhe të të gjithë pjesëmarrësve në trafik, si dhe respektimin e udhëzimeve të zyrtarëve policorë në terren. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe zyrtarët ndërkombëtarë që vizitojnë Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.













