Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, në tubimin elektoral në Mitrovicë ka vënë theksin te investimet strategjike në shëndetësi, zhvillimi ekonomik dhe siguria, duke e cilësuar qytetin si qendër të ardhshme rajonale të zhvillimit.
Duke folur për projektin e ri spitalor, Osmani tha se bëhet fjalë për investimin më të madh në historinë e Kosovës, i cili pritet të ndryshojë krejtësisht sektorin e shëndetësisë dhe rolin e Mitrovicës në rajon.
“Ky investim prej mbi 200 milionë euro, nëpërmjet të cilit do të ndërtohet spitali më i madh në Evropën Juglindore dhe më i avancuari, që do ta bashkojë të dy Mitrovicat dhe njëkohësisht do ta shpëtojë këtë sektor më shumë se në çdo vend tjetër në Evropën Juglindore”, tha ajo.
Ajo shtoi se ka insistuar që projekti të realizohet pikërisht në Mitrovicë.
“Ky do të jetë investimi më i madh në historinë e shtetit tonë, investimi më i madh që Mitrovica ka parë ndonjëherë dhe për këtë arsye, pas takimeve tona me aleatët tanë kam insistuar që ky projekt të realizohet pikërisht këtu në Mitrovicë”, u shpreh Osmani.
Osmani tha se Mitrovica duhet të shndërrohet në qendër rajonale të shëndetësisë, industrisë dhe turizmit.
“Unë besoj te Mitrovica, besoj te njerëzit e saj, te potenciali i saj dhe besoj se Mitrovica meriton të jetë qendër rajonale e shëndetësisë, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore”, theksoi ajo.
Ajo shtoi se projektet do ta ndryshojnë fytyrën e qytetit për dekadat që vijnë.
“Projekte të cilat do ta ndryshojnë fytyrën e Mitrovicës për dekadat që vijnë, që do ta shndërrojnë në krenarinë tuaj e në krenarinë e të gjithë Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
Osmani foli edhe për Trepçën, duke thënë se ajo duhet të rikthehet në motor zhvillimi ekonomik.
“Ne do ta rikthejmë Trepçën, jo në problem të Kosovës, por në sukses të Kosovës siç ka qenë, në mënyrë që ky gjigant ekonomik të rikthehet në model të motorit të zhvillimit në të gjithë rajonin”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se synimi është që të rinjtë të ndërtojnë jetën në vend.
“Ne nuk duam që rinia e Mitrovicës të largohet nga këtu, e duam që ata ta ndërtojnë jetën pikërisht këtu, të punojnë këtu, të krijojnë familjet e tyre dhe ta ndërtojnë të ardhmen”, tha Osmani.















