Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar në takimin me presidentin e Këshillit Evropian se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, duke theksuar përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe proceset demokratike, si dhe rritje të qëndrueshme ekonomike.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar presidentin e Këshillit Evropian për kontributin e Bashkimit Evropian si donatori më i madh në zhvillimin e Kosovës, duke theksuar se kjo mbështetje është reflektuar në forcimin e institucioneve dhe promovimin e vlerave evropiane në vend.
Ai gjithashtu ka theksuar se Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës dhe ka rikonfirmuar përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që burojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke vënë në pah rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.
Në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin me institucionet e BE-së, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka theksuar se Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, ka dënuar luftën e Rusisë ndaj Ukrainës dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë.













