Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë “barrikaduar” sërish hyrjen e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, e ka cilësuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, “uzurpator”, duke thënë se ai nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe atë të kryeministrit.
“Ne, deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, jemi sërish këtu për t’i dhënë një mesazh të qartë deputetit Albin Kurti se fillimisht në këtë zyrë, në këtë ndërtesë është uzurpator, për shkak se në këtë vend nuk mund të jesh edhe deputet edhe kryeministër. Prandaj çdo ditë, çdo vendim që e merr në këtë ndërtesë është i paligjshëm dhe sigurisht që do të trajtohet në organet e drejtësisë kurdo që të vjen mundësia për t’i trajtuar këto vendime të cilat po vazhdon me i marrë pa pasur drejtë të ushtrojë rolin e kryeministrit”, tha ai për Ekonomia Online.
ADVERTISING
Mustafa tha se deputetët duhet të jenë në Kuvend dhe kërkoi nga Kurti që, sipas tij, t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.
“Deputetët e kanë vendin në Kuvend dhe aty duhet të jetë edhe deputeti Kurti për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit, krijimit të institucioneve dhe kthimit të vendit në normalitet. Kjo situatë është e padurueshme. Shteti nuk mund të mbetet peng i asnjë politikani. Kushtetuta, rregullorja e punës së Kuvendit janë të qarta. Nuk mundet askush të vendosë se kur do t’i zbatojë e kur nuk do t’i zbatojë. Në atë ditë kur një politikan vendos se cilin rregull, cilin ligj, cilin nen të Kushtetutës do ta zbatojë e cilin nuk do ta zbatojë, mund të themi lirisht se vendi është në rrezik të madh për shkak se po rrëshqet drejt autokracisë. Dhe për atë arsye, ne jemi këtu në mbrojtje të shtetit, në mbrojtje të demokracisë dhe nuk do të ndalemi derisa ta kthejmë vendin në normalitet, në binarë kushtetues dhe t’i japim vendit institucionet të cilat do t’i adresojnë nevojat e mëdha që i ka vendi”, tha ai.
Mustafa tha se PDK-ja nuk ka menduar për “taktizime” lidhur me kandidatët për deputetë, duke akuzuar Kurtin se po “abuzon me Avni Deharin”.
“Shiko, ne nuk kemi menduar asnjëherë taktizime të tilla, për shkak se kur e hartojmë listën e kandidatëve për deputetë, hartojmë një listë e cila e përfaqëson në mënyrën më të mirë qytetarin dhe pritet t’i shërbejë më së miri interesave të qytetarëve të Kosovës. Taktizimet e tilla bëjnë ata që kanë mentalitet dhe plan për të bllokuar institucionet, dhe kur jemi tek kjo pikë duhet pasur parasysh që Albin Kurti po abuzon me Avni Deharin”, tha ai.
Ai bëri të ditur se PDK-ja ka dërguar sërish kërkesë për vazhdimin e seancës konstituive dhe se do të qëndrojë në Kuvend deri në përfundimin e procesit të konstituimit.
“Po, dje e kemi dërguar letrën e radhës, ftesën e radhës për ta organizuar mbledhjen konstituive, për ta vazhduar mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe sigurisht që ne jemi këtu dhe do të jemi tash në Kuvend në pritje të vazhdimit të kësaj mbledhje. Kemi pranuar përgjigje nga Aleanca, të cilët do të jenë me ne në pritje të vazhdimit të mbledhjes konstituive, dhe sigurisht që do të vazhdojmë me kërkesat dhe me prezencën tonë në Kuvend deri në konstituimin e plotë të Kuvendit dhe institucioneve, Kuvendit dhe trupave kryesuese të Kuvendit”, tha ai.













