Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, tha se bashkë me Sekretaren e Përgjithshme të kësaj partie, Vlora Çitaku, ka denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës policin që në sallën e Kuvendit e “cenoi fizikisht” të mërkurën kur në Kuvend pati përplasje mes deputetëve të PDK’së e AAK’së me ata të Vetëvendosjes.
Musliu tha se për të kanë kërkuar edhe hetim.
“Duke qenë se si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, për 15 vite rresht kam punuar fort për të pasur një Polici profesionale, të depolitizuar dhe me integritet, nuk mund të hesht përballë një rasti të tillë. Ky reagim nuk bëhet për të mbrojtur veten time, por, para së gjithash, për të mbrojtur institucionin e Policisë së Kosovës dhe integritetin e tij, në mënyrë që Policia të mos rrëshqasë në urdhrat dhe ndikimet e asnjë partie politike. Por, krahas hetimit për veprimet e policit, si deputete dhe si qytetare te Republikës së Kosovës, kërkuam të dimë edhe diçka tjetër: Kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancave plenare?”.
Ky është një informacion që duhet ta dijë jo vetëm Kuvendi, por edhe opinioni publik, tha Musliu.
“Në një seancë konstituive, ku Kuvendi ende nuk është konstituuar, duhet të jetë e qartë se kush ka autorizuar praninë dhe ndërhyrjen e Policisë brenda sallës. Sipas rregullave të procedurës së seancës konstituive, i vetmi autoritet që mund ta ftojë Policinë në sallë nëse paraqitet nevoja është mandatar-i për ta udhëhequr seancën, Ne rastin konkret z. Avni Dehari, atëherë kjo duhet të sqarohet publikisht. Kush e ka dhënë urdhrin? Kush e ka ftuar Policinë? Dhe mbi çfarë baze është ndërhyrë në sallën e Kuvendit? Këto nuk janë pyetje personale. Janë pyetje për përgjegjësinë institucionale”.
Sepse, thotë Musliu, kur Policia hyn në sallën e Kuvendit dhe një deputet cenohet fizikisht, nuk mjafton të hetohet vetëm polici që ka kryer veprimin.
“Duhet të hetohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë dhe urdhrit që e solli Policinë aty. E lartpërmenda se kam punuar për 15 vite rresht që Policia e Kosovës të jetë profesionale, e pavarur dhe me integritet. Nuk do të hesht tani, kur pikërisht këto parime duhet të mbrohen më shumë se kurrë. Policia i shërben ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë”.
“Prandaj, i bëj thirrje çdo polici dhe çdo shërbyesi civil në Republikën e Kosovës që t’i qëndrojë besnik ligjit, Kushtetutës dhe detyrës së vet profesionale, e të mos i nënshtrohet asnjë diktati, presioni apo urdhri politik që cenon pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të shtetit”.













