Veriu.info ka publikuar një artikull hulumtues me titull ‘Standarde të dyfishta në Doganë: Llugaliu hesht pse për të njëjtën shkelje njërin doganier e shkarkoi e tjetrin e ktheu në punë’, ku shpjegohet se si Dogana e Kosovës po përdorë standard të dyfishta ndaj zyrtarëve të saj, që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ku njërit i ka shkëputur kontratën e punës e tjetrin e ka kthyer në punë pa pritur vendim nga prokuroria. (Lexojeni këtu: https://veriu.info/standarde-te-dyfishta-ne-dogane-llugaliu-hesht-pse-per-te-njejten-shkelje-njerin-doganier-e-shkarkoi-e-tjetrin-e-ktheu-ne-pune/)
Ndaj këtij artikulli të publikuar në Veriu.info ka reaguar Dogana e Kosovës përmes zëdhënësit Adriatik Stavileci, duke e quajtur artikullin shpifës dhe të pasaktë, ndërsa vet në reagim e pranojnë se ndaj tyre janë marrë masa të ndryshme disiplinore.
Pra, Dogana e Kosovës në reagim e pranon se të dy zyrtarët janë nën hetime penale nga Prokuroria, derisa konfirmon dallimet procedurale në trajtimin e tyre.
Përmes një shkrese zyrtare dërguar redaksisë së Veriu.info, Dogana e Kosovës ka konfirmuar elementet kyçe të raportimit tonë lidhur me procedurat ndaj dy zyrtarëve të saj, Arton Lushaku dhe E.K.
Mes të tjerash në reagimin e Doganës përmes zëdhënësit Stavileci thuhet: ‘Pyetjet tuaja janë dërguar përmes postës elektronike në orën 16:29 — jashtë orarit zyrtar të punës — dhe atë në adresa joadekuate (në adresë individuale të Drejtorit dhe Kabinetit), të cilat nuk janë adresa zyrtare të publikuara për komunikim me mediat’.
Është e vërtetë që pyetjet janë dërguara në këto dy adresa, por që Stavilecit duket i ka ikur një detaj apo me qëllim e devijon çështjen, pasi që pyetjet janë dërguar edhe ne e-mailin zyrtar të Doganës së Kosovës. Po ashtu edhe sikur të drejtoheshin vetëm në e-mail të drejtorit Agron Llugaliu, do të ishte më se e mjaftueshme, pasi që është zyrtari kryesor i Doganave të Kosovës, dhe askush tjetër nuk është mbi të në hierarki.

Sa i përket dërgimit të pyetjeve në 16:29 dhe duke qenë se të njëjtat janë dërguar edhe në e-mailin zyrtar të Doganës së Kosovës, për neve është informatë e re që Dogana e Kosovës nuk punon pas orës 16:00. Kjo pasi që Policia, Dogana dhe institucione tjera, dihet që punojnë 24 orë në 365 ditë të vitit!
Mbi të gjitha, Veriu.info nuk ka dërguar pyetje Doganës si institucion, por pyetjet i janë drejtuar drejtorit të Doganës, Agron Llugaliu, ashtu siç bëhet e ditur në fillimit të e-mailit me pyetje.
Në reagim, Dogana konfirmon faktet e mëposhtme:
Dogana konfirmon zyrtarisht se për të dyja rastet (si për Lushakun, ashtu edhe për E.K.) janë në vijim veprime hetimore penale dhe se janë njoftuar prokuroritë përkatëse.
Dogana pranon se për zyrtarin E.K. ekziston tashmë një vendim i formës së prerë që ka prodhuar efektin e shkëputjes së kontratës.
Për zyrtarin Arton Lushaku, Dogana konfirmon se deri më tani ekziston vetëm vendimi i shkallës së parë nga Komisioni Disiplinor i cili nuk është i formës së prerë, ndërsa në fuqi mbetet masa e suspendimit.
Organi vendimmarrës: Institucioni sqaron se vendimet disiplinore merren në formë kolegjiale nga një Komision prej tre zyrtarësh profesionalë dhe jo si vendim individual i Drejtorit të Përgjithshëm.
Pavarësisht pretendimeve të Doganës se rastet nuk mund të krahasohen për shkak të fazave procedurale, faktet e konfirmuara nga vetë institucioni tregojnë se të dy zyrtarët mbeten nën hetime penale nga prokuroria për shkelje të ngjashme.
Veriu.info do të vazhdojë të ndjekë rrjedhën e hetimeve pranë prokurorive përkatëse deri në epilogun përfundimtar të të dyja rasteve.
Sqarim nga Redaksia: Në reagimin e saj zyrtar, Dogana e Kosovës ka lëshuar edhe një seri akuzash e ofendimesh ndaj medies sonë, për të cilat Veriu.info ka marrë vendim që të mos e publikojë reagimin e plotë, por të pasqyrojë vetëm faktet dhe konfirmimet zyrtare për opinionin publik.
Ndryshe, Dogana e Kosovës akoma nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara nga Veriu.info për këto dy raste, e të cilat janë si më poshtë:
1. Kriteri i Vendimmarrjes: Cili ishte kriteri ligjor dhe profesional për këtë dallim në trajtim, ku ndaj z. E.K u mor masa e menjëhershme e largimit pa pritur gjyqin, ndërsa z. Lushaku u rikthye në punë pa u pritur as vendimi i prokurorisë?
2. Qasja në Dokumente Zyrtare: A mund të na dërgoni kopjet e vendimeve zyrtare — atë për shkëputjen e kontratës së z. E.K. dhe vendimin për rikthimin e z. Lushaku në punë?
3. Statusi i Hetimit dhe Pozita: A ka përfunduar hetimi ndaj z. Arton Lushaku dhe a është kthyer ai në të njëjtën pozitë kontrolli ku pretendohet se është kryer shkelja?













