Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, ka folur para mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, duke shprehur bindjen se kandidatura e Bekim Sejdiut për president të Republikës së Kosovës do të marrë mbështetjen e organeve të LDK-së dhe deputetëve të saj.
Manaj ka thënë se qëndrimin e tij për Sejdiun e kishte bërë të ditur edhe një ditë më parë, duke e cilësuar atë si figurën e duhur për president.
“Por unë e kam dhënë edhe dje qëndrimin, mendoj që zoti Bekim Sejdiu është figura e duhur për president të Republikës. Edhe ju e dini që ky qëndrim për kandidat konsensual për president të Republikës ka ndodhur pas mbledhjes së grupit parlamentar javën e kaluar dhe jam i bindur që edhe sot Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të gjitha organet e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë për kandidaturën e zotit Bekim Sejdiu për president të Republikës”, deklaroi Manaj.
I pyetur nëse do të ndërmerren masa ndaj deputetëve që mund të votojnë kundër ose të mos marrin pjesë në votimin për presidentin, Manaj u shpreh i bindur se të gjithë deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në seancë.
“Por unë jam i bindur që të gjithë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të marrin pjesë në seancë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Manaj ka mohuar gjithashtu raportimet se gjashtë deputetë të LDK-së kanë krijuar një grup të veçantë parlamentar.
“Jo, nuk është, nuk është e vërtetë. Grupi parlamentar është unik, të gjithë deputetët janë në kryerjen e detyrave të tyre. Sot e kemi mbledhjen e Kryesisë Qendrore, domethënë tash pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore është edhe mbledhja e grupit parlamentar, që besoj që të gjithë deputetët e grupit parlamentar do të vendosin në pajtim me qëndrimet e vendimin e Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh Manaj.
I pyetur për deklaratën e deputetit Avdullah Hoti se nuk e ka votën për kandidaturën e Sejdiut, Manaj tha se beson se edhe Hoti do ta mbështesë zgjedhjen e presidentit dhe kandidaturën e Sejdiut.
“Unë jam i bindur se edhe zoti Hoti do të jetë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, sepse zoti Bekim Sejdiu mendoj që është figura e duhur, duke qenë edhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, diplomat me karrierë, përfaqëson, do të thotë, të gjitha kriteret që i duhen presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës së vendit, por edhe të udhëheqjes së politikës së jashtme dhe, çka është më e rëndësishmja, të ruajtjes së unitetit të popullit”, deklaroi Shkëmb Manaj.













