Një studim i Universitetit të Gjenevës ka konfirmuar atë që demografët e quajnë “efekti i vejërisë”, duke treguar se humbja e partnerit mund të ketë pasoja më të mëdha në shëndetin dhe jetëgjatësinë e burrave sesa të grave në Zvicër.
Studiuesit analizuan të dhënat e regjistrimit të popullsisë dhe regjistrave civilë zviceranë për periudhën 2011-2022. Rezultatet tregojnë se te burrat e moshës 60-69 vjeç, 6.7 për qind e atyre që kishin humbur bashkëshorten vdiqën brenda pesë vjetësh, krahasuar me 4.3 për qind të burrave që vazhdonin të ishin të martuar.
Edhe te gratë është vërejtur i njëjti fenomen, por dallimi ishte më i vogël, transmeton albinfo.ch.
Sipas studimit, sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve, veçanërisht te burrat. Studiuesit vlerësojnë se një faktor mund të jenë edhe rolet tradicionale në familje, ku bashkëshortet shpesh kujdesen për organizimin e jetës sociale dhe emocionale të çiftit. Pas humbjes së tyre, burrat e moshuar mund të mbeten më të ekspozuar ndaj izolimit dhe pasojave të tij./Albinfo.ch/













