Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku po e përgëzon partia kryesore rivale e tij, Vetëvendosja. Që nga momenti që Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e quajti “mik” Abdixhikun, e ky i fundit e la fajtor deputetët e tij për shkuarjen eventuale në zgjedhje të reja, edhe eksponent të tjerë nga VV kanë filluar ta lavdërojnë Abdixhikun. Dje, ishte deputeti Nezir Kraki, sot Fatos Geci. Geci ka thënë se Abdixhiku nuk është ashtu siç ka menduar.
E plotë:
LDK ka qenë gjysmë e vdekur që nga vdekja e Rugovës në vitin 2006, por 10 vite më vonë, në vitin 2016, në momentin që kjo parti e bëri Hashimin president, vdiq e tëra.
Nga viti 2016, e braktisëm të gjithë këtë parti, madje edhe baba im doli kundër saj, si njeriu më i besuar i ish-presidentit Rugova.
Sot, kjo parti është në zhdukje e sipër. Por ajo që e vërtetova është se Lumir Abdixhiku nuk është siç kam menduar. Për fat të mirë, jam i befasuar nga qëndrimi dhe këmbëngulja e tij burrërore.
Vonë për reforma, vonë për gjithçka. Lideri duhet të jetë i prerë.













