Një përplasje mes personash të lidhur me dy biznesmenët Vasil Bedinaj dhe Luan Muça është regjistruar të enjten në zonën e Radhimës në Vlorë, duke shkaktuar një operacion policor që përfundoi me aksidentimin e një automjeti, shoqërimin e tre personave dhe sekuestrimin e një arme zjarri.
Dinamika e plotë dhe motivet e ngjarjes mbeten ende nën hetim. Një pjesë e pretendimeve për atë që ka ndodhur brenda hotelit vijnë nga dëshmia e Bedinajt dhe nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Policia.
Sipas raportimeve, Bedinaj ka deklaruar se një grup personash të armatosur mbërriti në hotelin e tij “Regina Palm” dhe e kërcënoi duke i kërkuar 5 milionë euro ose largimin nga Shqipëria brenda 24 orëve.

Bedinaj pretendon gjithashtu se në hotel ndodhej edhe biznesmeni Luan Muça, pronar i “Delta Group” dhe “Deutsch Color”, dhe se mes tyre pati përplasje fizike.
Sipas dëshmisë së tij, ai është goditur me qytën e një arme dhe ka pësuar dëmtime në syrin e majtë dhe në pjesën e pasme të kokës.
Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë disa automjete që mbërrijnë njëra pas tjetrës përpara hotelit dhe rreth 15 persona që zbresin prej tyre, disa me veshje kamuflazhi.
Sipas raportimit paraprak, një pjesë e tyre ishin punonjës të kompanisë private “SWAT Security”, e kontraktuar për sigurinë e bizneseve të Muçës.

Luan Muça
Policia nuk ka konfirmuar publikisht pretendimin për kërkesën prej 5 milionë eurosh, as rolet individuale të personave të përmendur në raportimet mediatike.
Ajo ka konfirmuar se rreth orës 11:30 pronari i një resorti në Vlorë e njoftoi se persona të armatosur po konfliktoheshin me të. Pas sinjalizimit, shërbimet policore u nisën drejt adresës dhe ngritën pika kontrolli.
Në afërsi të Pusit të Mezinit, policia konstatoi një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe u vu në ndjekje të tij. Drejtuesi humbi kontrollin dhe automjeti u aksidentua, duke përfunduar i përmbysur.
![]()
Brenda tij ndodheshin tre persona. Dy u dëmtuan nga aksidenti dhe u dërguan për trajtim mjekësor, ndërsa personi i tretë nuk kishte probleme shëndetësore. Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të rindërtuar dinamikën dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë. Kontrolle janë shtrirë edhe jashtë Vlorës për gjetjen e personave të tjerë.
Shkaku i konfliktit nuk është bërë i ditur zyrtarisht. Raportimet paraprake në media e lidhin atë me një mosmarrëveshje për pronësinë e një sipërfaqeje toke në Palasë, por kjo pistë nuk është konfirmuar nga policia apo prokuroria.













