Përmes një reagimi, Rama tha se të rinjve të Kosovës nuk u mungojnë as talenti, as inteligjenca dhe as ambicia, por, sipas tij, u mungon një shtet që e trajton zhvillimin e tyre si prioritet.
“Rezultati i PISA-s nuk është dështim i fëmijëve tanë. Është dështim i politikave që duhej t’i përgatisnin ata!”, ka shkruar Rama transmeton Klankosova.tv.
Ai ka krahasuar qasjen e Qeverisë së Kosovës me politikat e zbatuara në kryeqytet në fushën e arsimit, duke renditur një sërë investimesh dhe reformash që, sipas tij, janë ndërmarrë në shkollat e Prishtinës.
Rama ka përmendur instalimin e 180 tabelave digjitale dhe pajisjen me teknologji moderne të më shumë se 70 për qind të klasave në kryeqytet. Sipas tij, në shkollat e Prishtinës është instaluar edhe kurrikula digjitale.
“Qeveria, vitin shkollor e nis me telashe rreth librave. Kryeqyteti ka instaluar 180 tabela digjitale dhe mbi 70 për qind të klasave i ka pajisur me teknologji moderne për mësim”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Prishtinës ka theksuar gjithashtu se programi i mësimit gjithëditor, i nisur fillimisht në pesë shkolla, tashmë është zgjeruar në 16 shkolla.
Në reagimin e tij, Rama ka përmendur edhe shujtat e ngrohta për nxënësit, menytë e hartuara nga nutricionistët, dollapët për nxënësit dhe aktivitetet shtesë që synojnë zhvillimin social, emocional dhe fizik të fëmijëve.
Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet inteligjenca artificiale, duke pretenduar se në nivel qeveritar ajo përdoret për propagandë, ndërsa në kryeqytet është bërë pjesë e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
“Ky është dallimi mes një politike që mendon deri te ‘zgjedhjet e ardhshme’ dhe një politike që mendon për gjeneratën e ardhshme”, ka shkruar Rama.
Në fund të reagimit, Rama ka thënë se rezultatet e PISA-s duhet të shërbejnë si alarm për institucionet dhe jo si kritikë ndaj fëmijëve.
“PISA duhet të jetë alarm për Qeverinë, jo aktakuzë ndaj fëmijëve tanë. Sepse kur të rinjtë kanë potencial, por shteti dështon t’ua zhvillojë atë, nota nuk është e nxënësve. Nota është e qeverisjes”, ka përfunduar ai.














