Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka reaguar pas deklarimeve të ish-kryeministrit dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, lidhur me situatën politike dhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
Haliti ka kritikuar Hotin për mosrespektimin, sipas tij, të marrëveshjes së arritur ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, duke theksuar se Hoti kishte deklaruar se nuk do të qëndronte në sallë gjatë procesit për Presidentin.
“Avdullah Hoti, pasi nuk e respektoi marrëveshjen që kishte arritur subjekti i tij me LVV-në dhe deklaroi se nuk do të qëndronte në sallë për çështjen e Presidentit, tash, në mënyrë retroaktive, po përpiqet t’i japë vetes të drejtë”, ka shkruar Haliti.
Ai ka thënë se në diskutimin për konstituimin po anashkalohet, sipas tij, një fakt i rëndësishëm.
“Ndërkohë, po harrohet një fakt i thjeshtë: nëse këta gjashtë do të ishin pro, ashtu siç është edhe vetë LDK-ja për prof. Bekim Sejdiun, çështja e konstituimit do të ishte moti e përfunduar”, është shprehur deputeti i LVV-së.
Në fund, Haliti ka kritikuar përpjekjet për t’ua atribuuar përgjegjësinë të tjerëve.
“Prandaj, është e vështirë të kërkosh përgjegjësi te të tjerët, duke anashkaluar rolin dhe përgjegjësinë tënde”, ka përfunduar ai.













